2016-06-07 00:00:00

Papa në Armeni në qershor e në Gjeorgji-Azerbajxhan, në shtator


 Muajt e ardhshëm Françesku do të bëjë dy udhëtime në zonën e Kaukazit. Do të jetë në Armeni, nga 24 deri 26 qershor, e në Gjeorgji dhe Azerbajxhan, nga 30 shtatori, deri më 2 tetor.

Njoftimin ua dha gazetarëve drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi.  

Pyetjes së tyre nëse Papa do të bëjnë një ndalesë dhe në Nagorno-Karabakh, enklavë armene në Azerbajxhan, për të cilën vijon grindja ndërmjet dy vendeve, mollë sherri që nga vitet ’90 e deri në kohët e fundit, atë Lombardi u përgjigj: “Unë komunikoj vetëm se do të jenë dy shetgtime, në Armeni e në Gjeorgji e Azerbajxhan. Tani për tani nuk kam gjë tjetër për të thënë”.

Françesku, pra, do të niset së shpejti drejt vendit, të cilit vitin e kaluar i përkujtoi njëqindvjetorin e “së Keqes së Madhe”, domethënë, shfarosjes së armenëve nga ana e Perandorisë Otomane, në vitin 1915.

Në Armeni, sipas asaj që paralajmëron kanali i internetit “Sismografo”, përveç kryeqytetit Erevan, Bergoglio do të vizitojë edhe qytetin e dytë të rëndësishëm, Gumrin (ose Gyumri-n), ku do të shkojë në Katedralen katolike të Nënës së Shenjtë të Zotit, e vetmja kishë e hapur gjatë periudhës së syndimit sovjetik.

Shtegtimi papnor në Armeni është delikat edhe përsa u përket marrëdhënieve me Turqinë. Papa e dëshironte prej kohe vizitën në Armeni, pasi vizitoi, më parë, Turqinë (nëntor 2014) e pasi e shmangu  shtegtimin pikërisht në njëqindvjetorin e “së Keqes së Madhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.