2016-06-07 10:56:00

Më 7 qershor kalendari kujton shën Antonio Maria Gianelli-in , ipeshkëv


Më 7 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Antonio Maria Gianelli-in  (Shën Nduen Maria Gianelli), ipeshkëv. Antonio Gianelli lindi në vitin kur filloi Revolucioni Frëng, më 12 prill 1789, afër Chiavarit të Italisë. Qe edhe ai revolucionar, por në mënyrën e vet. Zgjodhi shpejt rrugën e meshtarisë, e pasi u shugurua meshtar, shërbeu si famullitar në Chiavari deri në vitin 1838.

Zhvilloi një veprimtari shumë të gjerë, që i kapërceu kufijtë e famullisë së tij kishtare, që ishte ndër më të mëdhatë e zonës. Një vit pas emërimit, hodhi bazat e një Kongregacioni mashkullor, të cilin e vuri nën mbrojtjen e Shën Alfons de Liguorit. Mblodhi kështu meshtarë të rinj për misionet popullore e për t’u shërbyer kishave famullitare që kishin nevojë e probleme.

Për veprimtarinë e tij të zellshme, qe emëruar e shuguruar ipeshkëv, që e shtyu t’i kushtonte me hov të ri veprimtarive ungjillëzuese. Vdiq në moshën 57 vjeçare, pas një jete të vrullshme, të jetuar me mendje e zemër prej misionari. La pas vepra të shquara të bamirësisë në fushën fetare e shoqërore. U shpall shenjt në vitin 1951.








All the contents on this site are copyrighted ©.