2016-06-07 00:00:00

Kardinali Sandri në Turqi nga 10 deri më 12 qershor


Do të jetë në Turqi për dy ditë, nga 10 deri më 12 qershor, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore. Prelati i lartë do të shkojë në Stamboll për të kryesuar shugurimin ipeshkvnor të  imzot Ruben Tierrablanca Gonzalez, rregulltar i fretërve të vegjël, mëkëmbës apostolik i Stambollit dhe administrator apostolik i hekzarkatit për besimtarët  bizantinë.

Programi - njofton një notë zyrtare - parashikon pjesëmarrjen në Liturgjinë Hyjnore në Phanar, me ftesë të Patrikut ortodoks ekumenik, Bartolomeu I, paraditen e së shtunës, 11 qershor, ditë e emrit të Patrikut. Pasdite, në Katedrale, do të marrë pjesë në kremtimin eukaristik, me shugurimin e imzot Tierrablanca-s. Bashkëkremtues do të jenë imzot Lorenzo Piretto, kryeipeshkëv metropolit i Izmirit, dhe imzot Paolo Bizzeti, mëkëmbës apostolik i Anatolisë.

Të diel, më 12 qershor - vijon komunikata - kardinali Sandri do të kryesojë Meshën Shenjte pranë rezidencës “Ma Maison” (Shtëpia ime), drejtuar nga Motrat e vogla të të varfërve, për të moshuarit e strukturës, me të cilët do të bashkohet edhe një grup refugjatësh të rinj sirianë e irakianë, që zakonisht ndihmohen nga salezianët e Stambollit. Në përfundim, kardinali do të drekojë me të gjithë ipeshkvijtë katolikë të Turqisë. Në këtë shtegtim kardinali-prefekt do të shoqërohet nga imzot Angelo Accattino, i Ngarkuar me Punë ad interim i nunciaturës apostolike në Turqi, e do të mikpritet në selinë lokale të Përfaqësisë Papnore, që ka qenë edhe rezidencë e delegatit apostolik  Angelo Giuseppe Roncalli, më pas Papa Shenjt Gjoni XXIII.








All the contents on this site are copyrighted ©.