2016-06-07 00:00:00

Irak: të krishterë e myslimanë luten së bashku për paqen


Në Kishën e Mbretëreshës së Rruzares në Bagdad u zhvillua kohët e fundit një lutje ndërfetare kundër dhunës e terrorizmit. Nisma u realizua nga Patriarku kaldeas Louis Raphaël Sako, i cili pohoi se popullsive të vendit, që kërkojnë me ngulm paqen, u duhet lutja e jo opcionet ushtarake. U lutën së bashku të krishterë, myslimanë, sabej dhe jazidë. Të dëgjojmë vetë Patriarkun Sako:

Nëse të krishterët, myslimanët e të tjerët luten sinqerisht para Zotit, kjo do ta ndryshojë mendësinë, kulturën, do të ndihmojë pajtimin. Lutja u transmetua në televizion e njerëzit mundën ta shohin. Edhe tekstet ishin përgatitur shumë mirë, i përshtateshin situatës. Secili prej nesh vendosi një qiri pranë Zojës, sepse Zoja respektohet nga të gjithë. Ndokush më pati kërkuar një takim ndërmjet politikanëve: në të vërtetë, është shumë e vështirë. Lutja mund të ndryshojë, ndoshta, jo gjendjen, por njerëzit.

Pra, lutje për të gjithë, sepse të gjithëve u ka ardhur shpirti në majë të hundës nga kjo luftë…

Të gjithë janë të lodhur. 12 vjet luftë e ndeshje, refugjatë, të vdekur e jetimë. Ku po shkon kjo botë? Prandaj, duhet t’i hapim sytë e të arrijmë pajtimin, ta njohim tjetrin e ta respektojmë. Jemi e njëjta shoqëri, të gjithë jemi qytetarë të saj, prandaj, pse gjithë kjo e keqe? Është kundër vullnetit të Zotit, por edhe kundër planit të Tij… Feja ka një mision e misioni i saj është në favor të njeriut. Gjithçka është për njeriun: Jezusi është për njeriun, Ungjilli është për njeriun, por edhe nga pikpamja myslimane, Kurani është për njeriun e jo e kundërta. Pra, njeriu duhet të jetë i lumtur. Kjo luftë e shëmtuar nuk ka kuptim. Është kundër gjithçkaje!

Po bëhen luftime në Falluja e në Mossul. Kjo lutje është edhe për popullsitë e atyre vendeve?

Të them të vërtetën, çdo ditë, këtu në Patriarkat, ne lutemi për Falluja-n e për Mossul-in. U kam kërkuar të gjithë meshtarëve të luten për këta njerëz, që jo vetëm nuk kanë ç’të hanë, por jetojnë në panik. Jam jashtëzakonisht i indinjuar, ndjehem i poshtëruar, kur shoh gjithë këta njerëz e nuk di si t’ja bëj. Po mendoja, së bashku me meshtarët, të hapim një mencë për këta të varfër, për këta refugjatë. I kam kërkuar edhe Karitasit t’u çojë ushqim e mjekime të shpërngulurve. Për ne është detyrë, jo vetëm sepse jemi të krishterë, por sepse jemi qytetarë, njerëz. Feja nuk është diçka ideologjike: duhet të jetë një impenjim.








All the contents on this site are copyrighted ©.