2016-06-06 17:57:00

Eukaristia i mban gjallë të krishterët në këtë botë


Solemniteti i Korpit e të Gjakut të Krishtit, që kremi kremtuar ditë më parë, është kremtim dhe takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi e besimtar të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin Eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1). Kremtimi Eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe të Jezusit me Apostujt, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë.

Corpus Domini , pra, është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit ‘për ta predikuar nga pullazet, atë që Ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin e janë të ftuar të gjithë njerëzit e botës, të lidhur ngushtë me dhuratën e Krishtit, me aktualitetin e saj të përhershëm, që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon edhe sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të ripërtërihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).

Kremtimi Eukaristik, quhet edhe “Mister i fesë”, me fjalët që meshtari i thotë pas shugurimit të hostes, gjatë Meshës, për të shpallur misterin e kremtuar e për të shprehur mahnitjen e vet përballë shndërrimit të bukës e të verës në Korpin e në Gjakun e Zotit Jezus, realitet misterioz, që s’e kap dot mendimi njerëzor.
E pikërisht sepse kemi të bëjmë me një realitet misterioz, i cili i kapërcen kufijtë e mendimit tonë, nuk duhet të çuditemi që sot shumëkush nuk e ka të lehtë të pranojë se Krishti është vërtetë i pranishëm në Eukaristi. E as që mund të jetë ndryshe. Kështu ka qenë që nga dita kur, në sinagogën e Kafarnaumit, Jezu Krishti deklaroi haptazi se kishte ardhur për të na ushqyer me korpin e gjakun e vet. Fjalë tepër të forta këto, përballë të cilave shumë u tërhoqën dhe e lanë.

Si atëherë, edhe sot Eukaristia mbetet shenjë kundërshtie, e nuk mund të mos jetë kështu, sepse një Hyj që flijon vetveten për jetën e botës, e vë në krizë gjithë dijen njerëzore. Por Kisha katolike, me besimin e përvujtë të Pjetrit e të Apostujve të shpall edhe sot: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur” (Gjn. 6,68). E gjatë muajit qershor, nuk mund të mos rikujtojmë se Eukaristia është shujta që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij të Hyjit.

Eukaristia, edhe në kohët në të cilat jetojmë - është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit e të dashurisë.

Po të ndalemi te fragmenti liturgjik, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës 9,11-17, ku flitet për shumëzimin e bukëve e të peshqve nga Jezu Krishtit, që mjaftuan për t’i nginjur të gjithë, na bie në sy pikërisht fjala “të gjithë”, që nënvizon se Zoti dëshiron që “të gjithë”  njerëzit të ushqehen me Eukaristinë. Prandaj, procesioni dhe adhurimi i përgjithshëm i Eukaristisë, që zakonisht bëhet në festën e Korpit të Krishtit, u kujton të gjithëve se Jezu Krishti u flijua për mbarë njerëzimin. Kalimi i Tij ndërmjet shtëpive e nëpër rrugët e qyteteve e të fshatrave tona, i fton banorët e tyre të bëhen pjesëtarë të gëzimit, të jetës së pasosur, të paqes e të dashurisë, që buron nga Krishti.

E mrekullia e shumëzimit të bukëve e të peshqve  përmban qartë edhe ftesën drejtuar të gjithë njerëzve për të dhënë kontributin e tyre, për të ecur në rrugët e solidaritetit, të shenjtërisë e për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, sepse të gjithë jemi të thirrur të bëhemi, së bashku me Jezusin, bukë e thyer për jetën e botës.
E t’i kujtojmë fjalët e Jezusit që sjell shën Gjoni Apostull në Librin e Zbulesës: “Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”.

Këto fjalë po i përfundojmë me këtë lutje: “O Bari i Mirë, bukë e vërtetë/, ki mëshirë për ne/ (…). Ti që di e mund të bësh gjithçka/ e që na ushqen mbi këtë tokë, udhëhiqi vëllezërit në tryezën e qiellit/ në gëzimin e shenjtorëve”. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.