2016-06-05 11:00:00

Kisha me dy shenjtorë të rinj: Stanislao i Jezus Marisë e Maria Elisabetta Hesselblad


Papa Françesku më 5 qershor në orën 10.30, në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan gjatë Meshës shpalli dy shenjtorë të ri, Stanislaun e Jezus Marisë dhe Maria Elizabetën Hesselbald. I pari, polak, u impenjua në paraqitjen e përhapjen e të Zënit të Papërlyer të Virgjërës Mari dhe në lutjen për njerëzit që vdes papritmas. E dyta, suedeze, vuri përsëri në funksion urdhrin e Shën Brixhidës, misionit që kishte i shtoi lutjen, kundrimin dhe ndihmën, gjatë luftës së dytë botërore, për shumë hebrenj të persekutuar.

Po kush janë shenjtorët e rinj?

Stanislao i Jezus Marisë është themeluesi i Kongregatës së Klerikëve Marianë të Zojës së Papërlyer. Jan Papczynski – kështu quhej shenjti i ri para të merrte rrugën e meshtarisë – u lind më 18 maj 1631 në Podegrodzie të Polonisë. Hyri ndër etërit skolopë me emrin Stanislao i Jezus Marisë dhe u shugurua meshtar në vitin 1661. Kërkonte me këmbëngulje të respektohej Rregulla e urdhërit, gjë që i shkaktoi probleme me sivëllezërit, duke e detyruar të dilte nga kongregata. Më 11 dhjetor 1670 ia ofroi jetën e vet Zotit dhe Zojës së Papërlyer, duke u impenjuar ta përhapte kultin e Zojës përmes themelimit të një institucioni të ri kishtar, quajtur pikërisht Klerikët Marianë të Zojës së Papërlyer, apo marianistët, siç njihen tashmë në të gjithë botën. Idenë ua propozoi një grupi eremitësh, që jetonin në Puszcza Korabiewska (aktualisht Puszcza Marianska). Urdhëri – i fundit i klerikëve rregulltarë në historinë e Kishës – u pranua nga ipeshkvi i Poznanit. Ndër veçoritë e tij, përveç mbrojtjes së të zënit pa mëkat të Virgjërës Mari, bëjnë pjesë edhe lutja për shpirtrat e Purgatorit, sidomos për ata të ushtarëve dhe të njerëzve, që vdesin papritmas, si edhe predikimi i Ungjillit për fshatarët e paformuar nga pikpamja fetare.

Atë Stanislao, vdiq i sëmurë më 17 shtator 1701 në Nowa Jerozolima (sot Gora Kalwaria), në kuvendin e vogël krah kishës së Çenakullit të Zotit, ku edhe u varros. U shpall i Lum më 16 shtator 2007.

Maria Elisabetta Hesselblad është themeluese e Urdhërit të të Shenjtnueshmit Shëlbues të Shën Brigjidës. Shenjtja e re u lind në Suedi në një familje luterane. Që në shkollën fillore filloi ta kuptonte ndarjen ndërmjet Kishave e të lutej për të gjetur burimin e vërtetë të Fjalës së Zotit. U nis për të kërkuar punë në SHBA-të, por u sëmur në anije. Pasi u shërua, për të plotësuar një premtim, që i kishte bërë Zotit, hyri si infermiere në Spitalin Roosevelt të Nju Jorkut. Një vit më vonë shkoi në Romë e, duke vizituar shtëpinë ku pati jetuar Shën Brigjida e Suedisë, e kuptoi se duhej të ndiqte gjurmët e shenjtes. Hyri ndër karmelitane, që mbanin shtëpinë në atë kohë e, me lejen e Papës Piu X, u vesh si brigjidine. E kaloi gjithë jetën për të ringritur Urdhërin Brigjidin në çdo vend të botës. Gjatë viteve të Luftës II Botërore punoi për strehimin e fshehjen e hebrenjve të persekutuar në kuvendin e sheshit Farnese në Romë. Izraelitët e njohin si “Të drejtë mes kombesh” Vdiq në Romë, më 24 prill 1957. U shpall e Lume po në Romë, më 9 prill 2000. “Që një suedeze të kanonizohet, është fakt shumë i rrallë”, lexohet në komunikatën e Këshillit të Kishave Suedeze, që çoi në Sheshin e Shën Pjetrit një delegacion ekumenik. Hera e fundit ka qenë në vitin 1391, kur pikërisht Shën Brigjida u shpall shenjte nga Papa Bonifaci IX.








All the contents on this site are copyrighted ©.