2016-06-05 16:45:00

Gjermani: luteranët përgatisin kremtimet për 500-vjetorin e Reformës


“Të rrënjosur në dashurinë e Zotit, duke shqyrtuar ardhmërinë e Zotit”-  rreth kësaj teme do të flitet në takimin e ardhshëm të Këshillit të Federatës Luterane Botërore (Flm), në program për datat 15 deri më 21 qershor, në Wittenberg të Gjermanisë.

Sesioni i fundmë i Këshillit para Asamblesë së 20-të të përgjithshme, më 2017

Është sesioni i fundmë i organit drejtues të Flm, para asamblesë së saj të përgjithshme dhe të kremtimit qëndror, kushtuar 500-vjetorit të Reformës, që do të mbahen të dyja në Windhoek të Namibisë, nga 10 deri më 16 maj 2017. Festat përkujtimore të 2017-tës do të jenë pika kryesore e rendit të ditës në takim. Sekretari i përgjithshëm i organizmit, i nderuari Martin Jung, do t’i njohë delegatët me nismat e realizura gjatë këtij viti, për pesëqindvjetorin, përfshirë edhe mbledhjen përkujtimore ekumenike të përbashkët luterano-katolike të 31 tetorit të ardhshëm në Suedi, në të cilën do të marrë pjesë edhe Papa Françesku. Takimin do ta hapë presidenti i FLM, i nderuari Munih A. Yunan, ipeshkëv i Kishës ungjillore–luterane në Jordani e në Tokën Shenjte.

Në program, edhe një shtegtim ekumenik

Agjenda e javës së punimeve përfshin edhe një shtegtim ekumenik në vendet historike  të qytetit, ku Martin Luteri afishoi listën e “95 tezave” që i hapën udhën Reformës protestante, në të cilin ftohen të marrin pjesë edhe mysafirët ekumenikë. Në program edhe përurimi i një kryqi simbolik (Himmelskreuz) në Luther Garten, në praninë e Presidentit të Republikës federale gjermane, Joachim Gauck. Në realizimin e kopshtit, nisur më 2009, po kontribuojnë kisha të ndryshme luterane, të përhapura në mbarë botën, të cilave u është drejtuar ftesa të mbjellin 500 drurë brenda 31 tetorit 2016.








All the contents on this site are copyrighted ©.