2016-06-04 18:00:00

Motu Proprio e Papës: të shkarkohen ipeshkvijtë e shkujdesur lidhur me shpërdorimet mbi të miturit


Ipeshkvijtë që nuk tregojnë kujdesin e duhur lidhur me shpërdorimet seksuale kryer mbi të miturit, do të largohen nga detyra. Këtë sanksionon  Motu Proprio “Si nënë e dhembshur” e Papës Françesku, që fuqizon angazhimin e Kishës në mbrojtje të të miturve. Papa vendos që, ndërmjet “çështjeve të rënda”, parashikuar tashmë nga e Drejta Kanonike për largimin nga detyra kishtare (të ipeshkvijve, heparkëve ose e kryeeprorëve), të përfshihet edhe shkujdesja lidhur me rastet e shpërdorimeve seksuale. Në tekstin me pesë nene, parashikohet që - kur provat janë serioze -  Kongregata kompetente e Kuries të mund të nisë hetimet, të cilat mund të përfundojnë me dekretin e largimit nga detyra. Sidoqoftë, vendimi i duhet nënshtruar gjithnjë miratimit të Papës.

“Detyra e mbrojtjes dhe e kujdesit i takon mbarë Kishës, por duhet të ushtrohet posaçërisht përmes barinjve të saj”. Këtë shkruan Papa Françesku  në Motu Proprion “Si nënë e dhembshur”, me të cilën përforcon më tej  mbrojtjen e të miturve, duke nënvizuar përgjegjësinë e ipeshkvijve dioqezanë - nga heparkët, tek eprorët e Instituteve rregulltare e të Shoqërive të jetës apostolike të së drejtës papnore - për të treguar vëmendje të posaçme në mbrojtjen e më të ligshtëve, ndërmjet njerëzve që u besohen. Papa kujton se e Drejta Kanonike e Kishës e parashikon tashmë  mundësinë e largimit nga detyra kishtare per çështje të rënda. Me Motu Proprio-n, pohon Ati i Shenjtë Bergoglio, dua të saktësoj se ndër këto çështje  përfshihet edhe “shkujdesja e ipeshkvijve” lidhur me rastet e shpërdorimeve seksuale, kryer mbi të miturit dhe të rriturit e ligshtë, siç parashikohet edhe në Motu Proprion e Shën Gjon Palit II, Sacramentorum Sanctitatis Tutela, përditësuar nga Benedikti XVI.

Ipeshkvi mund të largohet për mungesë të rëndë kujdesi, në rastin e shpërdorimeve mbi të miturit

Me një dokument nënshkruar nga Papa Françesku, që në 5 nenet e para sqarohet se “ipeshkvi dioqezan (heparku ose ata që kanë përgjegjësi në gjirin e Kishave të veçanta lokale) mund të shkarkohen ligjërisht nga detyra nëse, për mungesë kujdesi, kanë lejuar ose kanë lënë pas dore akte, që u kanë shkaktuar dëme të rënda të tjerëve, si njerëzve të veçantë, ashtu edhe bashkësive, duke saktësuar edhe se dëmi mund të jetë “fizik, moral, shpirtëror ose trashëgimor”. Ipeshkvi (me të cilin barazohen edhe eprorët e mëdhenj te rregulltarëve e rregulltareve) vijon neni n. 1, mund të largohet nga detyra vetëm nëse nuk ka pasur kujdesin që i kërkohej, sipas shërbesës së tij baritore, edhe pa faj të rëndë nga ana e tij. Gjithsesi, shpërdorimi mbi të miturit mjafton për ta përcaktuar si të rëndë, mungesën e kujdesit.

Kujtohet se vendimi përfundimtar do të miratohet gjithnjë nga vetë Papa, i asistuar nga Kolegji i juristëve.  








All the contents on this site are copyrighted ©.