2016-06-04 18:20:00

Françesku pret Shehen Moza bint Nasser të Katarit


Papa Françesku priti sot në audiencë private, në Vatikan, Shehen Moza bint Nasser, kryetare e Qatar Foundation for Education, Science and Community Development. Shehja Moza, shpjegon atë Federico Lombardi, e informoi Atin e Shenjtë për veprimtaritë e shumëllojshme në fushën e zhvillimit edukativ e shoqëror, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe për gjendjen e rëndë të shkollave, në zonat e ndryshme të konfliktit. Papa, si e ndoqi me vëmendje të madhe, e inkurajoi për vijimin e angazhimit në këtë drejtim.

Shehja Moza bint Nasser i dhuroi Françeskut një dorëshkrim të çmuar të Ungjijve në arabisht,  ngarkuar me ilustrime, me 123 faqe në kaligrafi naskhi, prodhuar në Turqinë Otomane të shekullit XVIII. Ndërsa Françesku, medalionin e Ullirit të paqes dhe botimin e Enciklikës së tij “Lëvduar qofsh”, në gjuhën arabe.

Më pas shehja Moza bint Nasser vizitoi edhe Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, ku u takua me imzot Giovanni Angelo Becciu, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit, shoqëruar nga imzot Michael F. Crotty. Objekt i bisedimeve ishte gjendja e bashkësisë katolike në Katar.

Në përfundim, Madhëria e Saj ishte e pranishme në nënshkrimin e një marrëveshjeje (Memorandum of Understanding), për llogari të Qatar National Library. Për Qatar Foundation nënshkroi doktor Hamad Al Kuwari, për Bibliotekën Apostolike, prefekti i saj, Imzot Cesare Pasini, Kujtojmë se ndërmjet 80 mijë dorëshkrimeve të Bibliotekës vatikanase, objekt i projektit të përgjithshëm të dixhitalizmit, në vijim që nga viti 2010, Biblioteka e Vatikanit ruan dorëshkrime, që kanë të bëjnë me historinë, kulturën, trashëgiminë dhe shkencën e Katarit, të Gjirit dhe të zonave të tjera islamike. 








All the contents on this site are copyrighted ©.