2016-06-02 11:03:00

Kardinali Komastri: një takim me Nënë Terezën


Nësa ditët fluturojnë e afrohet gjithnjë më shumë ora e lume kur shqiptarët do të kenë një Shenjtore, dalë nga gjiri i tyre, për të ndërmjetësuar (e sa shumë kanë nevojë) para fronit të Zotit, çdo kujtim i jetës së Ganxhe Bojaxhisë të emocionon thellë. E kujtimet shpeshohen. Nënë Terezën e kujton shumëkush, përfshirë Papën. E doemos kardinajtë. Emri i saj jehoi përsëri në Kopshtet e Vatikanit, natën e fundit, më të bukurën e majit, asaj që kurorëzon muajin e Marisë Virgjër, më 31 maj. Nënë Terezën e kujtoi kardinali Komastri gjatë kremtimit tradicional në Vatikan,më 31 maj, njëherësh me Rruzaren, që Motra imcake shqiptare e mbante në brez, ku dikur burrat e fisit të saj mbanin shpatat. Kardinali Komastri rrëfei, pra, një nga takimet e tij të shumta me Nënë Terezën:

“Ndodheshim mbi tremen e Kishës së Shën Gregorit al Celio, së bashku me Nënë Terezën - kujtoi. E Nëna më tha: ‘Shiko, përballë nesh është Harku i Kostandinit e, pas tij, edhe Koloseum’. E pastaj, e kthyer nga e majta, më tha: “ Shiko!”.

Ia ktheva: “Nënë, këto janë rrënojat e Palatinit”. - “Sigurisht - gjegji - e komentoi: ‘Atje ishte Palatini, e atje jetoi një nga njerëzit më të pushtetshëm të mbarë historisë. E të mendosh – vijoi - se ndoshta prej aty u nis edhe edikti, që vuri për udhë  Marinë e Jozefin drejt Betlehemit. Tani nuk të shikon syri asgjë, veç gërmadhave, ferrave e rozgave’. Tha kështu e vijoi: ‘Njëkohësisht Maria jetonte në Nazaret, në një stallë, por Maria ishte e kapur fort pas Zotit, e Zoti është i vetmi shkëmb. Augusti ndërtoi mbi krenarinë’. E Nëna kometoi akoma: ‘Krenaria është tollumbace, që heret o vonë shpërthiqet, duke treguar se përmbrenda nuk ka tjetër, veçse boshllëk”.

E vjen, pastaj, rrjedha e kohës e merr me vete e shlyen nga faqja e dheut mbretëri, mbretër e pallate. Vetëm një gjë nuk mund ta shlyejë kurrë: dashurinë e Zotit për njeriun! Pa asnjë dallim. Prej këndej, gjërat e pabesueshme, të bëra nga Nënë Tereza, vetëm e vetëm që të shuante etjen e Krishtit për dashurinë e njeriut. Atij Krishti, që  hapi udhën e shëlbimit duke flijuar jetën mbi kryq. E po prej këndej, flijimi i pashembullt i Nënës sonë Terezë, për t’i përngjarë Zotit të Kryqëzuar.

Emri i Nënë Terezës kujtohet përsëri, pikërisht natën e fundit të majit, kur bota kremton Zojën e Bekuar, Nënën e atij Krishti, në emër të të cilit Motra shqiptare shkriu gjithë jetën.

Zoti trokiti në zemrën e Marisë Virgjër, që iu përgjigj me një ‘po’ të dalë nga zemra.

Zoti trokiti edhe në zemrën e Nënë Terezës, që iu përgjigj me atë ‘po’,  të mësuar nga Zoja e Bekuar, e cila do t’i pëshpëriste shpesh herë, në heshtje: “Bëj atë, që do të të thotë im Bir!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.