2016-06-02 10:51:00

Irani ndalon shtegtimin në Mekë, tension me Riad-in


Shtegtarët shiitë nuk do të shkojnë në Mekë shtatorin e ardhshëm. Pas ultimatumit prej 24 orësh drejtuar, të shtunën e kaluar, Arabisë Saudite, Teherani e mori këtë vendim për arsye “dinjiteti e sigurie”, pas kërdisë që shkaktoi vdekjen e një mori besimtarësh vitin e kaluar, në Mina, pak kilometra larg Qytetit Shenjt, ku mbetën të shtypur nga turma rreth 700  besimtarë, më se 400 iranianë. Por, a janë vërtet këto arsyet, që e shtynë Iranin të marrë vendimin në fjalë? Përgjigjen ia kërkuam islamologut jezuit, atë Samir Khalil Samir:

Jemi para këtij fakti: vitin e kaluar vdiqën 464 iranianë, gjë që tregon se siguria nuk ishte ashtu si duhet të jetë. U zhvilluan bisedime ndërmjet palëve, pa arritur në asnjë përfundim. Por duhet kujtuar edhe se Organizata e Shteteve Islamike, mbledhur në gjysmën e prillit, në Turqi,  e dënoi edhe Iranin. Pati prirje tejet saudite, pasi i konsideroi si Hezbollah-ët, ashtu edhe Sirinë si terroristë, ndërsa Iranin, si shtet, që i mbështet si Hezbollahët e Libanit, ashtu edhe Sirinë. E akuzuan se mbështet edhe Jemenin.

Irani shiit, nga njëra anë, e nga ana tjetër, dinastia sunnite vahabite, që qeveris Riad-in: dy vende, të cilat në janar i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike. E si kështu?

Sepse sunnitët i sulmojnë shiitët: muk mund t’i durojnë fare shiitët. E lojës i prin Arabia Saudite: bombardoi Jemenin – pjesën shiite të Jemenit - gjë që e bëri edhe në Bahrein. Organizata e vendeve islamike – ishin të pranishëm 50 vende  nga 57 - e dënoi haptazi Iranin, duke pohuar se mbështet terrorizmin. Ndërsa të gjithë e dinë se kush e mbështet Isisi-in është vetë Arabia Saudite e edhe Qatarr-i, që e financojnë. Ekziston një përballje e plotë ndërmjte dy palëve. Por me sulme më të forta nga ana e Arabisë Saudite, që  konsiderohet si Islami i vërtetë.

Rivaliteti ndërmjet dy vendeve të Gjirit duket qartë edhe nga qëndrimet e kundërta, që mbajnë lidhur me krizën rajonale: mendojmë për Sirinë, Irakun, Jemenin, Libanin…

Gjithçka niset nga urrejtja e sunnitëve kundër shiitëve, që shikohen si heretikë. Atëherë gjithçka shfrytëzohet si pretekst… Natyrisht, as shiitët nuk kanë pikë simpatie për sunnitët, por nuk i sulmojnë drejtpërdrejt. Gjithçka që nuk përkon me vizionin saudit, në udhëheqje të grupit sunnit sepse Arabia Saudite e Qatarri kanë financat - bëhet shkak për t’i dënuar shiitët. Nuk arritën të merren vesh për numrin e shtegtarëve: më parë Irani kishte të drejtë të dërgonte 100 mijë shtegtarë, pastaj e kufizoi këtë numër në 70 mijë e tani, në 50 mijë. Këto janë gjëra të vogla, por që ndikojnë fuqimisht në thellimin e mllefit të anasjelltë, këto ditë gjithnjë në favor të Arabisë Saudite, që është më e fortë.

Në të kaluarën, për tri vjet rresht, Irani e pati bojkotuar shtegtimin në Mekë, duke e gjetur shkakun tek rreziku i shkallëzimit të dhunës. A ekziston ky rrezik edhe këtë herë?

Fakti i bojkotimit nuk paraqet rrezik për askënd, sepse nuk do të ketë shtegtarë. Por nuk e zgjidh situatën globale, mbasi palët nuk mundën të merren vesh: secili akuzon tjetrin se po e tepron duke vënë kushte ose, përkundrazi, se po i kufizon kushtet e pranimit. Problemi kryesor  nuk është shtegtimi, por fakti se bota islame nuk po ia del mbanë të jetë botë e bashkuar. Terrorizmi aktual në Siri e në Irak është sunnit, njëqind përqind, e mbështetet nga vendet sunnite, që kanë naftë e janë të pasura.

Sipas jush, a mund të ishte shtegtimi rast i përshtatshëm për afrimin e dy palëve?

Sigurisht. Nëse do të ishin përpjekur të merreshin vesh, por nuk është ky rasti. Po fuqizojnë opozitën, posaçërisht nga ana e sunnitëve, që përfaqësojnë shumicën. Po jap vetëm një shembull: ka grupe të vogla shiitësh në Egjipt, në Afrikën veriore, e kjo shikohet si gjë e papranueshme, sepse Egjipti është vend sunnit e thotë: “Nuk keni të drejtë  të ndërtoni asnjë strehë shiite kulti në vendin tonë!”. Në këtë mospajtim duhet parë e kundërta e asaj, që ne e quajmë ekumenizëm. Ka ardhur e ka kaluar koha që bota myslimane të ndërrojë sjellje e të thotë: “E po mirë, jemi të ndryshëm, por ç’të keqe ka në këtë ndryshim?”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.