2016-06-02 17:13:00

Gjermania e shpall gjenocid vrasjen e armenëve nga otomanët, Ankara thërret ambasadorin


Parlamenti gjerman ka votuar sot një rezolutë që e shpall “gjenocid” ekzekutimin e armenëve nga ana e forcave otomane në vitin 1915. Reagimi i Ankarasë ishte i menjëhershëm: qeveria turke e thirri ambasadorin që ka në Berlin për konsultime.

Rezoluta, votuar me shumicën dërmuese nga partia Kristian Demokrate e Angela Merkel, nga partia e SPD dhe të gjelbrit, u miratua në një moment kur BE ka nevojë për ndihmën e Turqisë për të luftuar krizën e emigracionit. Kryeministri turk Binali Yildirin e quajti “të paarsyeshme” rezolutën e ligjvënësve gjermanë, duke thënë se mund t’i cenojë marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve të Nato-s. Zëvendës kryeministri turk, Numan Kurtulmusm foli për “gabim historik”. Akoma më tej shkoi, Mevlut Cavusoglu, kreu i diplomacisë së Ankarasë, i cili e quajti “të papërgjegjshëm e të pathemeltë” vendimin e Berlinit që njeh gjenocidin armen nga ana e forcave otomane.

Armenia pohon se në vitin 1915-s vdiqën 1 milionë e gjysmë armenë. Turqit pretendojnë se shifra është shumë më e ulët dhe refuzojnë të pajtohen me përdorimin e termit “gjenocid”. Më shumë se 20 shtete të botës, mes të cilave Franca e Rusia si Selia e Shenjtë, e njohin si “gjenocid” mizorinë e përpara një shekulli.Ankaraja, megjithatë, vazhdon ta mohojë ekzistencën e një fushate sistematike për shfarosjen e të krishterëve armenë si grup etnik dhe kujton gjithmonë sesi gjatë shembjes së Perandorisë Osmane, kanë humbur jetën edhe shumë civilë turq.

Ndaj reagimeve të ashpra turke, Angela Merkel pohon se marrëdhëniet ndërmjet vendeve janë mjaft “solide”, e megjithëse ekzistojnë edhe dallimet, prapëseprapë ka shumë gjëra që  “i bashkon” dy vendet. Merkel kujtoi se në Gjermani banojnë mase tre milion qytetarë me rrënjë turke e se “të ballafaqohesh me çështjet kontroverse është pjesë e demokracisë”.  Në këtë këndvështrim “përforcimi i dialogun ndërmjet Armenisë e Turqisë” do të shërbejë për promovimin e një debati mbi atë se si “duhet të tejkalohet historia”.








All the contents on this site are copyrighted ©.