2016-06-01 16:41:00

Papa në Suedi për 500-vjetorin e Reformës dhe për meshën me katolikët


Një faqe historike do të shkruhet në tetor në Suedi, gjatë vizitës së Papës Françesku për kremtimin ekumenik luterano-katolik të 500-vjetorit të Reformës Protestante, më 31 tetor. Sipas komunikatës së përbashkët të Federatës Luterane Botërore dhe të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, paraqitur sot në një konferencë për shtyp, janë dy çastet, që do të karakterizojnë përkujtimin: liturgjia në katedralen suedeze të Lundit dhe një takim publik në stadiumin e Malmos.

Në ngjarjet në Lund do të marrë pjesë edhe Papa Françesku. Programi i plotë i udhëtimit të Atit të Shenjtë në Suedi, pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, do të njoftohet më vonë e do të përfshijë edhe kremtimin eukaristik me bashkësinë katolike, paraditen e 1 nëntorit.

Kremtimet e përbashkëta luterano-katolike, vihet në dukje në komunikatën e sotme, synojnë të nxjerrin në pah 50 vjet bashkëpunimi e dialogu ekumenik, si edhe dëshminë e përbashkët të krishterë, duke kërkuar falje për ndarjen ndërmjet dy traditave.

Katedralja e Lundit, vijon nota, do të jetë vendi, ku do të zhvillohet lutja e përbashkët, bazuar në udhëzuesin liturgjik katoliko-luteran, publikuar kohët e fundit, me titull “Lutja e Përbashkët”. Ai e ka bazën në dokumentin “Nga konflikti tek bashkimi”. Ndërkaq, stadiumi i Malmos do të jetë skenari, ku do të zhvillohen të gjitha veprimtaritë kushtuar dëshmisë së përbashkët të katolikëve dhe të luteranëve në botë. Stadiumi mund të mbajë deri në 10 mijë vetë.

“Kur bashkësitë marrin udhën, që i çon larg konflikteve, aty marrin edhe forcën. Në Krishtin, inkurajohemi t’i shërbejmë së bashku botës. Përkujtimi i përbashkët është dëshmi e dashurisë dhe e shpresës, që kemi të gjithë për meritë të Hirit të Tënzot”, deklarojnë kryetari i Federatës luterane e dhe sekretari i saj i përgjithshëm.

Ndërkaq, kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, shpjegon: “Duke u përqendruar së bashku në temën qendrore, që ka të bëjë me Zotin dhe me qasjen Kristocentrike, luteranët dhe katolikët mund ta përkujtojnë me ekumenizëm Reformën, jo thjesht në mënyrë pragmatike, por duke përjetuar thellësisht fenë në Krishtin e kryqëzuar e të ringjallur”








All the contents on this site are copyrighted ©.