2016-06-01 14:08:00

Papa: i korruptuar e hipokrit ai, që beson se është i drejtë dhe i përbuz të tjerët: jo, kryelartësisë!


Sot paradite, audienca e përgjithshme e Papës Françesku iu kushtua  shëmbëlltyrës së farizeut e të tagrambledhësit. Në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me njerëz, Françesku kujtoi vlerën e përvujtërisë, kusht i nevojshëm për të fituar mëshirën e Zotit. Më pas tërhoqi fort vëmendjen për t’u ruajtur nga farizeizmi.

Farizeu e tagramledhësi: kryelartësia e përvujtëria

U shtjellua rreth dy figurave, asaj të tagrambledhësit e të farizeut, katekizmi i Papës Françesku, me synimin për të kuptuar si mund të fitohet mëshira e Zotit. Farizeu lutet, duke qëndruar në këmbë. Numëron meritat e veta e bën listën e veprave të kryera: nga agjërimi, tek pagesa e të dhjetave të të gjithë pasjes. E pra, sjellja e tij e fjalët e tij janë tepër larg nga mënyra si vepron Zoti. Ai e mban veten njeri i drejtë, por harron  urdhërimin më të rëndësishëm: ta duash Zotin e të afërmin! Nuk mjafton të pyesësh veten sa lutesh, por si lutesh, të pyesësh nëse në zemrën tënde ka arrogancë e hipokrizi. Sepse nuk mund të lutesh, kur zemra zjen nga arroganca, nga hipokrizia. Duhet të rikthehemi tek lutja e heshtur, të gjejmë përsëri udhën drejt zemrës sonë, sepse aty na pret Zoti, na flet Zoti! E vetëm duke u nisur nga zemra, mund t’i takojmë edhe të tjerët.

Në kundërshtim me farizeun, tagramledhësi është i përvuajtur e i penduar

“Lutja e tagrambledhësit është tepër e shkurtër, nuk zgjat, si ajo e farizeut: ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin!’. Asnjë fjalë më shumë! ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’. E bukur, kjo lutje, apo jo! Ta përsërisim tri herë, së bashku? Të themi: ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’; ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’. ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’”.

Tagrambledhësi, siç ta thotë fjala vetë, është mbledhës i taksave,  i shikuar shtrembër, sepse tepër i afërt me pushtuesit e huaj. Ai e di kush është e, prej këndej, vepron me përvujtëri, i sigurt vetëm se është mëkatar:

“Shëmbëlltyra na mëson se mund të jesh i drejtë ose mëkatar jo për shkak të përkatësisë shoqërore, por për mënyrën si sillesh me Zotin, për mënyrën si sillesh me vëllezërit”.

Farizeu e ndjen veten shumë më lart nga njerëzit, që i cilëson si të padrejtë, cuba, kurorëshkelës, duke besuar se i tillë është edhe tagrambledhësi, i cili lutet fare pranë tij. Beson se ka gjithçka duhet pasur, përveç nevojës për të kërkuar mëshirë, si njeriu që, aty pranë, e lyp përvujtërisht para fytyrës së Zotit:

“E kjo është e bukur, apo jo? Të lypësh mëshirën e Zotit. Duke u paraqitur para Tij me duart bosh, me zemrën e zhveshur, me pohimin se është mëkatar, tagrambledhësi na tregon të gjithëve kushtin e nevojshëm për të fituar ndjesën nga Zoti. Në fund, pikërisht ai, i përuluri, bëhet ikona e vërtetë e besimtarit”.

Farizeu, ndërkaq, është ikonë e të korruptuarit, e njeriut të prishur, sepse mendjemadhësia e prish çdo vepër të mirë, e zbraz lutjen dhe të largon nga Zoti e nga të tjerët:

“Farizeu është pikërisht ikonë e të korruptuarit, që shtiret sikur lutet, ndërsa di vetëm të krekoset para pasqyrës së vet. Është i korruptuar e bën sikur lutet. Kështu, në këtë jetë, ai që beson se është i drejtë, që i gjykon të tjerët e i përbuz, është i korruptuar, hipokrit”.

Përvujtëria hap portën e mëshirës

Papa Françesku preku zemrën e temës kushtuar mëshirës, që është edhe qendër e ciklit të ri të katekizmit të audiencave të përgjithshme të së mërkurës. E shpjegoi se Zotit i pëlqen përvujtëria, sepse kusht i nevojshëm për t’u lartuar tek Ai e, prej këndej, për të provuar mëshirën:

“Nëse lutja e mendjemadhit nuk arrin në zemër të Zotit, përvujtëria e hap atë në dy kanatat. Zoti ka dobësi për të përvuajturit. Para një zemre të përvuajtur, Zoti e hap krejtësisht zemrën e vet”.

E kjo është përvujtëria e Virgjërës Mari, e  shprehur në “Magnificat” -  Himn i madhërimit të Zotit. Na ndihmoftë Ajo - tha në përfundim Françesku - të lutemi gjithnjë me zemër të përvuajtur.








All the contents on this site are copyrighted ©.