2016-05-31 13:43:00

Takimi i Papës me 12 “youtube”-istë në Vatikan


Faqja e parë e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” paraqet sot Papën Françesku me 12 yje të Youtube, të cilët të dielën u takuan me të në përfundim të kongresit botëror të Fondacionit papnor “Scholas Occurrentes”.

“Leksion komunikimi e dialogu në Vatikan”, shkruhet në artikull. Të mbledhur rreth një tryeze, 12 të rinjtë ‘youtube’-istë, të mirënjohur në rrjet e të ndjekur në internet nga qindra mijëra vetë e disa, nga miliona ndjekës, ndenjën për rreth 1 orë me Atin e Shenjtë, duke bërë pyetje e duke komentuar përgjigjet e Papës Françesku. Me 12 kampionët e rrjetit, ku secili mund të publikojë videot e tij, Bergoglio foli për bashkimin ndërmjet popujve, për dialogun, integrimin, luftën e paqen, edukimin dhe përgjegjësitë e përbashkëta, për identitetin dhe aftësinë për ta dëgjuar tjetrin.

Tema të zakonshme në pasditen e së dielës, kur Papa priti përfaqësuesit e 40 universiteteve të botës, kur u fol për projektin edukativ të Scholas Occurrentes dhe kur u dhanë çmime për tre aktorë të famshëm të kinemasë, Richard Gere, George Clooney dhe Salma Hayek, të dalluar në ndihmën ndaj të rinjve të periferive.

Ndër temat, që Papa preku me të rinjtë e Youtube, edhe gjuha e gjesteve. “Të përpiqemi të përdorim gjuhën e gjesteve – u tha Ati i Shenjtë. Nganjëherë na pëlqen të flasim e të flasim… Nganjëherë, gjuha e gjesteve është ndryshe. Nuk mjafton të flasim. Ka rrezik ‘të flasim në ajër’ e kjo nuk funksionon. Gjuha e gjesteve… që nganjëherë është përkëdhelja, buzëqeshja”. U fol edhe për bullizmin, “agresion – nënvizoi Françesku – që fsheh një mizori më të thellë”, por edhe për masat kundër tij. “Bota – tha Papa – ka nevojë ta ulë nivelin e agresivitetit. Ka nevojë për ëmbëlsi, ka nevojë për butësi, ka nevojë ta dëgjojmë, kemi nevojë të ecim së bashku. Sot, ndodhin këto gjëra, sepse mungojnë këto qëndrime”. Së fundi, fotografia e grupit me Atin e Shenjtë, që më parë bëri xhiron e internetit e pastaj, u botua në faqen e parë të gazetës “L’Osservatore Romano”.








All the contents on this site are copyrighted ©.