Më 29 maj kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin në përvjetorin e vdekjes. Ikona e Pavarësisë së Shqipërisë, prifti e patrioti shqiptar, dom Nikollë Kaçorrin, qe figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës katolike të Shqipërisë, me detyra e misione të ndryshme, qe një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit, e qe edhe një intelektual i madh, që dha kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave kulturore të kombit shqiptar.
Kush ishte Imzot Nikollë Kaçorri? Ky prift patriot, që jetoi e punoi për Fe e Atdhe,
ishte nga Kreja e Lurës, ku lindi në vitin 1862, me babë katolik e nënë myslimane.
Mësimet e para i kryen në Seminarin Papnor të Shkodrës, studimet e larta të filozofisë
e të teologjisë në Austri. Shërben për 23 vjet rresht si prift famullitar në Delbinisht
e Durrës, duke nxjerrë meshtarë të rinj e duke ndërtuar Kisha të reja, pa harruar
asnjë çast misionin e tij për Fe e Atdhe. Kultivimi e mbrojtja e identitetit kombëtar
të shqiptarëve dhe kumtimi i Lajmit të Mirë, ishin dy elemente përbërëse të veprimtarisë
së tij. Është ndihmës i ngushtë i kryeipeshkvit të sëmurë të Durrësit, Imzot Primo
Biankut. Është klerik por edhe patriot, është meshtar por edhe muzikant, është predikatar
por edhe dijetar. Dom Nikollë Kaçorri është në kujtimet e fratit të ri françeskan
Atë Bon Gjeçaj, gjakovarit të sapo dalë nga universitetet evropiane, kur në vitin
1897 kremtonin në Durrës Meshën bashkë dhe, sipas radhës, ndërsa Imzot Nikollë Kaçorri
i binte harmoniumit e këndonte liturgjinë hyjnore, Atë Bon Gjeçaj e ndihmonte atë
me violinën e tij.
E, ai është edhe në kujtimet e Imzot Pjetër Demës i cili, gjatë viteve 1905-1906,
për një periudhë dy vjeçare, ishte ndihmës e krah i djathtë i Imzot Kaçorrit si famullitar
në Durrës, sidomos gjatë verës, kur Imzot Kaçorri shkonte me shërbimet e veta në Austri.
Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin
që gjatë viteve 1910-1912 të bëhet drejtues i zjarrtë i kryengritjes së Kurbinit me
arritjen finale e sublime, atë të 28 nëntor-it 1912, kur ai është përbri Ismail Qemalit,
në ngritjen e Flamurit në Vlorë.
Megjithëse prift, për interesat e kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet
edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit
dhe Atdheut. Është nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë në shumë kuvende
kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulture dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Është
pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit.
Është aty ku e kërkon interesi e Atdheut.
Dhe largohet burrërisht prej detyrave, largohet nga politika, vetëm atëherë kur, me
ndërgjegjen e tij të pastër shef e kupton se në atë politikë ka papastërti e mos sinqeritet,
që rrezikon fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht në rrezik e
në pjesëmarrje, edhe me burrërisht në vendim e largim, dom Nikollë Kaçorri mbetet
përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare. Ndërroi jetë në
Vjenë më 29 maj të vitin l9l7, pas një sëmundje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Emri
i dom Nikollë Kaçorrit është përmendur rrallë gjatë viteve të komunizmit, duke mos
i dhënë vendin që meriton këtij kleriku katolik në panteonin e figurave të shquara
të kombit shqiptar.
Çdo 28 Nëntor, së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin përkujtohet dhe atdhetari i madh prifti shqiptar dom Nikollë Kaçorri, strategu i harruar i pavarësisë së Shqipërisë
All the contents on this site are copyrighted ©. |