2016-05-31 13:46:00

Kardinali Parolin përuron ekspozitën mbi mëshirën në Muzetë e Bashkisë së Romës


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin përuroi sot, në Muzetë e Bashkisë së Romës, ekspozitën me temën “Mëshira në art”. Itinerari jubilar përmes kryeveprave të artistëve të mëdhenj italianë”, është promovuar nga Roma Capitale-Sovrintendenza Capitolina pranë Ministrisë së Trashëgimisë Kulturore italiane e organizuar nga Qendra Evropiane për Turizmin dhe Kulturën. Ngjarja rreshtohet në kuadrin e Vitit të Shenjtë të jashtëzakonshëm shpallur nga Papa Françesku.

“Mëshira – tha me rastin e përurimit të ekspozitës kardinali Parolin – është zemra e Ungjillit” e “komuniteti i krishterë gjatë shekujve ka dashur ta nderojë këtë dhuratë hyjnore dhe këtë e bëri, mes tjerash, përmes realizimit të kryeveprave të artit”. Kryevepra – shtoi ai – që “flasin vetvetiu e janë një lidhje autentike ndërmjet artit, historisë dhe fesë”. Këta artistë – vërejti kardinali Parolin – “kanë ditur ta rrëfejnë mëshirën e mishëruar në realitetin e përditshëm”, duke e bërë të “prekshme për çdo njeri, të çfarëdo shtrese apo përkatësia shoqërore, duke treguar se mëshira nuk është vetëm një koncept abstrakt, por bëhet e dukshme përmes veprave që realizohen për dashuri e bamirësi. Kryeveprat e Piero della Francesca, Politttico i Mëshirës, apo i Caravaggio-s, të njohura si Shtat veprat e mëshirshme – shpjegoi kardinali Parolin – i përgjigjen nevojës së pashprehur që ka njeriu për t’i parë dhe prekur me dorë të vërtetat e fesë”.

Këto vepra arti – pohoi kardinali – e “ruajnë bukurinë e shprehjen vizive dhe ekspresive të kohës. Por ato nuk e kanë humbur as aktualitetin e tyre! Zoja e Bekuar, e cila me mantelin e vet i mbron dhe ruan besimtarët, na tregon edhe ne sot atë dashuri amnore, atë përzemërsi e përkushtim që një Nënë ka për bijtë e vet. Manteli saj i hapur i drejtohet çdonjërit prej nesh që e vështron pikturën e Zojës. Krahët e hapur janë thirrje për iu drejtuar Asaj, për t’u mbështetur , pasur besim, për të mos u frikësuar nga askush e nga asgjë që do të vijë për të shqetësuar apo tronditur zemrën e bijve të saj”.

Ekspozita ndahet në dy sesione, njëra i kushtohet “Zojës së Mëshirshme”, tjetra “Shtatë Veprave të Mëshirshme të Trupit”, me kryevepra të artistëve të ndryshëm italianë si Guido Reni, Piero della Francesca, Caravaggio, Jacopo Zanguidi, Pietro Bernini e të tjerë 








All the contents on this site are copyrighted ©.