2016-05-31 14:11:00

Jubileu: 30 fotografë për t’i kthyer në imazhe fjalët e Papës


Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” paraqet nismën “My Jubilee” të ArtsFor në bashkëpunim me fondacionin “Enti i Spektaklit” dhe nën patronazhin e Këshillit Papnor të Kulturës e të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Qëllimi, shpjegon e përditshmja vatikanase, është të kthehen në imazh përmes fotografive, fjalët e Papës Françesku. Do të përdoren imazhe nga njëra prej agjencive më të njohura të botës, Magnum.

Nis kështu, bashkëpunimi i 30 fotografëve me emër, ndoshta edhe larg fesë, me kreun e Kishës Katolike. Është kjo, risi e rëndësishme për të kuptuar sa larg arrijnë fjalët e Atit të Shenjtë, sa shumë mëshira e Zotit, në këtë Jubile të shpallur nga Françesku, prek edhe njerëz, që ndoshta nuk ndjehen pjesë e Kishës, por me dëshirë, bëhen dëshmitarë të mesazhit të Papës.

Me hapa të vogla, por kuptimplote, revolucioni i mëshirës vijon të ecë përpara: duke parë në fotografi fytyra të mjeruara, gjeste të dëshpëruara, çdo njeri preket deri thellë ne zemër. E kështu, është më e vështirë të ndërtohen mure, të dëbohen refugjatët e t’i jepet vota atij, që bën këto lloj premtimesh. “Nuk është dytësore – komenton Lucetta Scaraffia, editorialiste e “L’Osservatore Romano” dhe koordinatore e shtojcës kushtuar grave – që për Papën Françesku lëvizi pikërisht kjo agjenci, lindur në vitin 1947 si kooperativë, që mblidhte fotografët më të mëdhenj të kohës, si Robert Capa, Henri Cartier-Bresson, George Rodger, David Seymour. Edhe sot, është ndër më prestigjozet e ndër agjencitë më me autoritet në botë. Për të punojnë fotografë të pavarur, ndërsa selitë i ka në Nju Jork, Londër, Paris e Tokio”.








All the contents on this site are copyrighted ©.