2016-05-30 14:06:00

Papa Françesku: Kisha është e lirë në profeci, e mbyllur brenda ligjeve krijon skllevër


Në udhën e saj të fesë, Kisha dhe çdo i krishterë duhet të kujdesët që të mos mbyllet brenda një sistemi normash, por t’i le hapësirë “kujtesës” së dhuratave të fituara prej Zotit, dinamizmit të “profecisë” dhe horizonteve të “shpresës”.  Papa Françesku e përmblodhi në këto tri fjalë homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuan në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan.

Baza e ligjit që përkufizon gjithçka dhe fryma çliruese e profecisë që të shtyn përtej kufijve. Në jetën e fesë, besimi i tepruar në norma, tërhoqi vëmendjen Papa Françesku, mund ta shuajë vlerën e kujtesës dhe të dinamizmit të Shpirtit. Jezusi, në pjesën ungjillore të ditës së sotme (Mk 12,1-12), me shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrastarë, e tregon këtë qëndrim që kishin skribët dhe farisenjtë, të cilët donin ta bënin Jezusin të heshtë.

Kundër pronarit, i cili e kishte mbjellë vreshtin për ta, pasi e kishte rregulluar mirë, thurur me gardh, punuar shtrydhësin, ndërtuar kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve, e pikërisht bujqit që e morën për gjysmë, vendosën pastaj të revoltoheshin kundër tij, t’i rrihnin dhe t’i vrisnin një nga një shërbëtorët që pronari i kishte dërguar, për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit. Kulmi i dramës, është vrasja e djalit të vetëm të pronarit, akt ky që do t’u kishte mundësuar, mendonin gabimisht fshatarët, ta merrnin tërë trashëgiminë.

Kazistika dhe liria

Vrasja e shërbëtorëve dhe ajo e djalit – imazh i profetëve të Biblës dhe i vet Krishtit – tregon, pohoi Papa Françesku, imazhin e “një populli të mbyllur në vetvete, që nuk hapet ndaj premtimeve të Zotit, që nuk i pretë premtimet e Zotit. Një popull pa kujtesë, pa profeci e pa shpresë”. Krerëve të popullit, në veçanti, u intereson ngritja e murit të ligjeve,  të “një sistemi juridik të mbyllur”, e asgjë tjetër:

“Memoria nuk u intereson. Profecia: është më mirë që profetët të mos vijnë. E shpresa? Po kush e di, çdonjëri pastaj do të shohë se çka do të bëhet. Ky është sistemi përmes të cilit ata përligjin: doktorë të ligjit, teologë që gjithmonë shkojnë udhës së kazistikës dhe nuk lejojnë të veprojë liria e Shpirtit Shenjt; nuk e njohin dhuratën e Zotit, dhuratën e Shpirtit dhe e mbyllin në kafaz Shpirtin, sepse nuk duan ta lejojnë veprimin e profecisë në shpresë.

Ky është sistemi fetar dritëshkurtër të cilit i flet Jezusi. ‘Një sistem –- i bërë prej korrupsionit, mondanitetit e lakmisë’, siç thotë Shën Pjetri në Leximin e Parë të Meshës së sotme (nga Letra e Dytë e Shën Pjetrit (2Pt 1,1-7).

Memoria na bënë të lirë

Së fundi, pranon Papa, edhe “vet Jezusi ka qenë tunduar të humbte memorien e misionit të vet, të mos i linte vend profecisë e të preferonte sigurinë në vend të shpresës”, çka tregon thelbin e tri tundimeve që Ai pësoi në shkretëtirë. Prandaj, vërejti Papa Françesku:

“Këtyre njerëzve, Jezusi, pasi e dinte në vete se çfarë do të thotë tundimi, u bënë vërejtjen: ‘Ju e përshkoni gjysmën e botës për të pasur prozelitë (ithtarë) e kur ti gjeni, i bëni skllevër’. Ky popull kështu i organizuar, kjo Kishë kështu e organizuar bën skllevër! E këtu kuptohet edhe reagimi i Palit kur flet për skllavërinë e ligjit dhe lirinë që të jep hiri i Zotit. Populli është i lirë, Kisha është e lirë atëherë kur e ka memorien, kur u lë vend profetëve, kur nuk e humb shpresën”.

Me zemër të hapur apo të mbyllur?

Vreshta mirë e organizuar, nënvizoi Papa, është “imazhi i popullit të Zoti, imazhi i Kishës e edhe imazhi i shpirtit tonë”, për të cilin Ati kujdesët gjithmonë me “shumë dashuri e shumë butësi". Të rebelohesh ndaj Tij është njësoj, si për vreshtarët vrastarë, “të humbësh memorien e dhuratës” së marr nga Zoti, ndërsa “për të kujtuar e për të mos gabuar udhën” është e rëndësishme të “kthehemi përherë te rrënjët”:

“Unë a thua e kam memorien e veprave të mrekullueshme që Zoti ka bërë në jetën time? A i kujtoj dhuratat e Zotit? Unë a jam i aftë t’u hap zemrën profetëve, do të thotë asaj që më thotë ‘kjo nuk shkon, duhet të shkosh atje; ecë përpara, rreziko’? Këtë bëjnë profetët...Unë a jam i hapur ndaj kësaj profecie apo frikësohem e preferoj të mbyllem në kafazin e ligjeve? E së fundi: unë a kam shpresë në premtimet e Zotit, siç pati ati ynë Abrahami, i cili doli nga toka e tij pa e ditur se ku shkonte, vetëm sepse shpresonte në Zotin?. Na bënë mirë t’i bëjmë këto tri pyetje....”








All the contents on this site are copyrighted ©.