2016-05-30 14:33:00

Papa, diakojve: të jeni në shërbim të Zotit, jo të punëve tuaja


Çdo diakon është njëkohësisht apostull e shërbëtor, por kurrë “skllav” i impenjimeve të tij, gjithnjë i aftë të mos pyesë për orare për t’u lënë hapësirë e kohë vëllezërve, sipas stilit të butë e të përvujtë të Zotit. Ky qe thelbi i homelisë së meshës së djeshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në ditën e Jubileut të diakojve.

Njerëz të shërbimit, të gatshëm e të butë, ashtu siç ka qenë Jezusi i pari. Thirrja, madje ambicia e diakonit, vërejti Papa, është të jetë shërbëtor i të gjithëve, në gjendje të hapë vend për nevojtarin, e jo burokrat i Kishës, për të cilin edhe bamirësia e jeta e famullisë rregullohen me orare shërbimi.

Jeta e krishterë, jetë shërbimi

Nën retë e një pranvere tekanjoze, që e ngjyrosi në gri Sheshin e Shën Pjetrit, qindra diakoj u rreshtuan para dhe anash elterit për Jubileun e tyre të Mëshirës. Ati i Shenjtë kujtoi se diakoni i parë i historisë së Kishës ka qenë vetë Krishti. Edhe shën Pali, në Letrën drejtuar Galatasve, paraqitet si “apostull” dhe si “shërbëtor”. Janë dy faqe të së njëjtës medalje, vuri në dukje Papa, sepse “kush kumton Jezusin është i thirrur të shërbejë e kush shërben kumton Jezusin”:

“Dishepulli i Jezusit nuk mund të shkojë në një rrugë të ndryshme nga ajo e Mësuesit, por nëse dëshiron ta kumtojë duhet ta imitojë, ashtu siç bëri shën Pali: duhet të ketë dëshirë të bëhet shërbëtor. Me fjalë të tjera, nëse ungjillëzimi është misioni, që i dorëzohet çdo të krishteri me Pagëzimin, shërbimi është stili me të cilin duhet jetuar misioni, mënyra e vetme për të qenë dishepull i Jezusit. Është dëshmitar i Tij, kush bën si Ai: kush shërben vëllezërit e motrat, pa u lodhur nga Krishti i përvuajtur, pa u lodhur nga jeta e krishterë, që është jetë në shërbim”.

Gati për të papriturat e Zotit

Për t’ia dalë mbanësh në këtë mision, theksoi Papa, nevojitet stërvitje e përditshme për të qenë gati ta dhurojmë jetën. Ata, që shërbejnë, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk janë rojtarë xhelozë të kohës personale, madje heqin dorë prej saj e nuk janë më zotët e ditës së tyre:

“Kush shërben nuk është skllav i punëve të veta, por, zemërbutë, është gati për gjithçka s’e ka programuar: gati për vëllain dhe i hapur për të papriturat, që nuk mungojnë kurrë e shpesh janë surpriza e përditshme e Zotit. Shërbëtori është i hapur për surprizën, për surprizat e përditshme të Hyjit”.

Hiqni dorë nga oraret

Shërbëtori, vijoi Papa Françesku, di të shërbejë pa pyetur për shpërblimin, duke i hapur dyert e kohës e të hapësirës së vet për të afërmin, për atë, që troket jashtë orarit, pavarësisht se i duhet të ndërpresë pushimin apo diçka që i pëlqen. E këtu, Ati i Shenjtë ngriti sytë nga homelia, që po lexonte, për të theksuar pa letër, diçka që e ka fort për zemër:

“Shërbëtori s’pyet për orare. Më dhemb zemra kur shoh orarin e famullive, nga ajo orë tek kjo orë… Pastaj? Nuk ka më derë të hapur, nuk ka më prift, nuk ka diakon, nuk ka një laik që të presë njerëzit… Kjo të bën keq. Mos pyesni për orare: merreni këtë guxim të mos pyesni për orare”.

Stili i butë e i përvujtë

Ungjilli është plot me histori zotërinjsh e shërbëtorësh. Në pjesën liturgjike të ditës së djeshme spikaste ngjarja e centurionit, që e lut Jezusin të shërojë një shërbëtor, që e kishte për zemër. Të bën përshtypje, vërejti Françesku, delikatesa e skajshme me të cilën një oficer i ushtrisë romake kujdeset për të mos e shqetësuar Mësuesin, pavarësisht se mjaftonte t’i jepte urdhër:

“Para atyre fjalëve, Jezusi mbetet i habitur. I bën përshtypje përvuajtëria e madhe e centurionit, butësia e tij. E butësia është një nga virtytet e diakojve… Kur diakoni është i butë, është shërbëtor e nuk imiton si majmun priftërinjtë, jo, jo… është i butë. Para problemit që e shqetësonte, centurioni mund të pretendonte t’i zbatohej urdhëri, duke përdorur autoritetin e vet; do të kishte mundur të përdorte këmbënguljen, madje edhe ta detyronte Jezusin të shkonte në shtëpinë e tij. Përkundrazi, bëhet i vogël, i butë e i përvujtë, nuk e ngre zërin e nuk do të shqetësojë kënd. Ndoshta pa e ditur, sillet sipas stilit të Zotit, që është ‘zemërbutë e i përvujtë’”.

Kurrë mos shani

Këto, përfundoi Ati i Shenjtë, janë edhe tiparet e shërbimit të krishterë, që do të thotë t’u shërbesh të tjerëve, duke imituar Zotin, duke i pritur me dashuri, duke i kuptuar pa u lodhur, duke i bërë të ndjehen si në shtëpinë e tyre në bashkësinë kishtare, ku nuk është i madh ai që komandon, por ai që shërben. E kurrë, mos shani, i këshilloi Papa diakojtë:

“Secili prej nesh është shumë i dashur për Zotin, i dashur dhe i zgjedhur prej tij, i thirrur për të shërbyer, por fillimisht kemi nevojë të shërohemi nga brenda. Për të shërbyer, duhet ta kemi zemrën të shëndetshme: një zemër të shëruar nga Zoti, që të ndjehet e falur, të mos jetë as e mbyllur, as e ngurtë… Të dashur diakoj, mund ta kërkoni çdo ditë këtë hir në lutje, në një lutje ku të paraqisni lodhjen, të papriturat, shpresat: lutje e vërtetë, që ta çojë jetën drejt Zotit e Zotin në jetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.