Më 30 maj kalendari kishtar përkujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër.
Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj
shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë
e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”.
Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të
çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë
si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua
pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon.
Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht, pa kurrfarë sigurie në vetvete,
i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma.
Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve;
në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar
nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet
e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se
nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit,
i la dorë të lirë.
Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një
plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët,
i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër:
është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar,
i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të
çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden
me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin.
Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë Karlin VII në
Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë
e të padiskutueshëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo
është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII
hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator
1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën menjëherë
kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të
kryesuar nga Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë
e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja
e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para
gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie,
i thirri sërish “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi
turrën e druve si shtrigë.
E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët,
që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante
të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi
e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë
shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910;
shenjte - nga Benedikti XV në vitin 1920.
All the contents on this site are copyrighted ©. |