2016-05-28 00:00:00

Shenjtorët e Javës 29 maj – 5 qershor


E diel më 29 maj, Kisha katolike kremton festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit na nxit të reflektojmë se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga dashuria për të afërmin: janë dy faqe të së njëjtës medalje e stil i një jete, që e ka themelin e vet tek Krishti i vdekur e i Ngjallur, që na la si trashëgim dashurie, Korpin e Gjakun e vet.

Gjithnjë më 29 maj, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.

Të hënën më 30 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes e shën Zhanën d’Ark, virgjër Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saducejtë e farisenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë.

Të martën 31 maj, kalendari Kishtar kremton festën e Pasisë së Zojës së Bekuar, me të cilën Kisha katolike e mbyll muajin maj kushtuar nderimit të Virgjërës Mari. Zoja e Bekuar shkon të vizitojë Elizabetën. E liturgjia e ditës na kujton se Maria nuk shkon për të kaluar kohën. Ajo bën një udhëtim të vërtetë apostolik, gjatë të cilit kumton Fjalën që i tha Engjëlli i Tënzot dhe këndon mrekullitë e Zotit në jetën e saj. Është dita e fundit e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat katolike të botës, e në këtë ditë, në të cilën kremtohet festa e Pasisë së Zojës, liturgjia shpjegoi se Virgjëra Mari është ikonë mahnitëse e Kishës, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e Kishës, misionare e Fjalës së Hyjit të Mishëruar.

Të mërkurën më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Justinin, filozof e martir. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Të enjten më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin meshtar, shën Pjetrin ekzorcist e martir dhe shën Eugjenin, papë Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi t’i hapim mend e zemër, për t’i bërë vend fjalës që shëlbon.

Të premten më 3 qershor, kalendari Kishtar përkujton shën Karl Lvangën me shokët, martirë të Ugandës e shën Klotildën, mbretëreshë e frankëve. Liturgjia na kujton që Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. Logjika e Kryqit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit.

Të shtunën më 4 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Françeskun Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të dielën e ardhshme më 5 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 10-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 5 qershor, kalendari përkujton edhe shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. Liturgji e kësaj së diele na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile. 








All the contents on this site are copyrighted ©.