2016-05-28 06:00:00

Jubileu i diakojve: “Diakoni, imazh i Mëshirës për nxitjen e ungjillëzimit të ri”


Nesër, në orën 10.30, Papa Françesku do të kremtojë Meshën për Jubileun e diakojve, i cili filloi të premten, për të vijuar edhe sot e për të përfunduar nesër me kremtimin liturgjik së bashku me Atin e Shenjtë.

Nga e gjithë bota kanë ardhur në Romë diakonë të përhershëm, shumë prej të cilëve së bashku me familjet. Për thirrje e shërbim, diakoni është i lidhur ngushtë me veprat e bamirësisë e të dashurisë në jetën e çdo bashkësie të krishterë, e, siç u thotë gjithnjë Papa, përmes tyre i dëshmohet botës se “mëshira është vetë themeli i jetës së Kishës”.

50-vjetori i rithemelimit të Diakonatit të Përhershëm nga Koncili II i Vatikanit, që festohet pikërisht këtë vit, qe rasti për të ripropozuar rëndësinë e këtij shërbimi për liturgjinë e bamirësinë. Jubileu i diakojve filloi pasditen e së premtes, me një takim me temën “Diakoni, imazh i mëshirës për nxitjen e ungjillëzimit të ri”. Edhe kisha të ndryshme të botës u lidhën me konferencën për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të marrin pjesë dhe të debatojnë në gjuhën e tyre.

E njëjta gjë u përsërit edhe sot pasdite, gjatë katekizmit me temë: “Diakoni, i thirrur të jetë përçues i bamirësisë dhe i dashurisë në bashkësinë e krishterë”. Ndërkaq, paradite, nga ora 9 deri në orën 14, shtegtimi dhe kalimi i Portës Shenjte të Shën Pjetrit. Gjatë tri ditëve, diakonët dhe familjarët e tyre kanë mundësinë të marrin Sakramentin e Pajtimit në tri kisha jubilare të Romës, pranë Vatikanit (Krishti Shëlbues në Lauro, Shën Maria në Vallicella, shën Gjon Pagëzuesi i Fiorentinëve). Gjithashtu, diakonët kryejnë edhe shtegtimin e tyre personal në disa kisha romake kushtuar shën Lorencit martir, diakoni i parë në historinë e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.