2016-05-26 10:49:00

In memoriam: Imzot Lucjan Avgustini sipas don Lush Gjergjit


Pas një sëmundjes së rëndë dhe të shkurtë kaloi në amshim Imzot Lucjan Avgustini (22 maj 2016), ipeshkvi i Sapës. Ai ka lindur në Ferizaj më 23 gusht 1963, biri i Gjinit dhe Roza lind. Gjergji – Avgustini, që kanë pasur 10 fëmijë, si familje e mirë dhe e bekuar. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga Imzot Smiljan Franjo Čekada, ipeshkëv i atëhershëm i Shkupit, më 5 shtator 1963.  Kjo datë dhe ditë  simbolike dhe e shënuar për ne, por edhe për mbarë botën, na përkujton ditë e “kthimit në shtëpinë e Atit” e së Lumes Nënës Tereze, që  në një mënyrë paralajmëron se edhe jeta e Imzot Lucjanit do të jetë ngushtë e lidhur me këtë emër:  me thirrjen dhe shërbimin e tij meshtarak, me njohjen e saj personale, me katedralen e Vau Dejës, që bart titullin “Nëna Tereze”.

Shkollën fillore e kreun në vendlindje, ku ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani Ipeshkvin e Kosovës. Pasi kreu shkollën tetëvjeçare, një mbrëmje e vizitova në gjirin familjar. Ndër të tjera i thashë: “Driton, (kështu e kam quajtur gjithnjë duke shqiptuar emrin e tij, vr. ime), tash e kreve shkollën tetëvjeçare. Urime! Besoj se do ta vazhdosh shkollimin... Por çka dhe ku ende nuk e di... Pra, më trego!”. Ai, sadopak me marre, i skuqur, më tha: “Do të bëhem Don Lush!”.

Të gjithë qeshëm në këtë përgjigje. Unë, për ta nxjerrë nga kjo situatë, vazhdova: “Driton, nëse Zoti do, të do të bëhesh Don Lucjan – Driton, e jo Don Lush”.

Ashtu edhe ndodhi. Së bashku me Dodë Gjergjin u paraqiten për seminar në Suboticë  “Paulinum”, ku përfunduan me sukses shkollën e mesme. Fakultetin filozofik – teologjik në Zagreb e kryen me sukses dhe sjellje të mirë, gjithnjë së bashku.

Më 15 gusht 1989 Imzot Nikë Prela i shuguroi meshtarë, duke treguar me dorë, fjalë dhe zemër se po i shuguronte për “Shqipërinë martire!”. Profetizoi. Ditë e shënuar dhe e paharruar, kur  besimtarët tanë ishin të tronditur nga kjo ngjarje, shumë prej tyre edhe të frikësuar, si Ipeshkvi ynë haptazi e përmendi Shqipërinë, lirinë fetare dhe demokracinë, atëherë kur edhe ne ishim “në gojë të ujkut”, siç thotë populli.

Më 10 shtator 1989 caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, për punë të botimeve liturgjike, por edhe  ndihmonte Imzot Nikë Prelën si ushtrues detyre të sekretarit personal. Ishte i palodhshëm dhe shumë i vullnetshëm për jetën dhe shërbimin meshtarak. Shpesh të dielave dhe festave e ndihmonte famullitarin e Stubllës, tash Imzot Rrok Gjonleshaj, argjipeshkvin e ri të Tivarit. Zelli, vullneti, dëshira, entuziazmi i tij rinor vërtet ishte  i dukshëm dhe shembullor.

 Pas kurorëzimit të punës së suksesshme në botimin e “Mesharit Romak”, (1992), më vonë edhe botimin e  Biblës komplete në gjuhën shqipe, për herë të parë nga Kisha katolike (1994), fushëveprimi rritej dhe begatohej.

Përfundimi i kësaj pune të lodhshme dhe përvoje baritore dhe botuese, e bënin Don Lucjan Avgustinin të përshtatshëm të emërohet drejtor i parë i Caritasit të Kosovës, ndërsa më 15 prill 1993, edhe famullitar i Ferizajit, ku shërbeu me zell dhe përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Shqipëria tashmë ishte hapur dhe bënte hapat e parë në liri dhe demokraci. Mungesa e klerit, kishave, shtëpive të famullive, ishin frymëzim për Don Lucjan Avgustini, së bashku me Don Dodë Gjergjin, që shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për ta ndihmuar Kishën katolike në  Shqipëri me shërbimin e tyre meshtarak.

Më 27 tetor 1994 me dekretin 501/94 Lucjan Avgustini qe liruar nga detyrat në ipeshkvin Shkup-Prizren, për të qenë  i lirë si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në argjipeshkvinë e Shkodrës.

Aty,  së pari ishte ndihmës-famullitar, kurse më 14 korrik 1995 emërohet famullitar i katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Puna dhe veprimtaria ishte e paskajshme, por edhe feja dhe dashuria e Don Lucjanit, përballonin çështje tejet të vështira dhe shumë sfiduese.

Më 24 maj 1997 nga Papa Shën  Gjon Pali  II qe emëruar nga “Kapelan i tij”,me titull të lartë të nderit - Monsinjor.

Imzot Lucjan Augustini , edhe pse i ri në moshë, por i rryer në jetë dhe përvojë meshtarake,  Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi Ipeshkëv të Sapës në Shqipëri, për ta zëvendësuar Imzot Dodë Gjergjin, që ishte caktuar Ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Lucjan Avgustini ishte njeri i pendës dhe punës, mbi të gjitha i uratës, përshpirtërisë dhe komunikimit me njerëz, besimtarë, për t’i dëgjuar, këshilluar, udhëzuar, për t’iu thënë një fjalë të mirë, për t’ua dhënë përvojën e fesë dhe begatinë e dashurisë së krishterë. Ishte apostull i vërtetë në çdo fushëveprim, zelltar i pashoq, vullnetar i palodhshëm, dëshmitar dhe predikues i Krishtit dhe Ungjillit të tij. Për të koha ishte dhuratë, hir, pasuri për t’u ndarë dhe dhuruar të gjithëve.

Si ta kishte një lloj parandjenje se “koha” po e ngute, mos të them po e “përndjekte” hap pas hapi, si në ndonjë lloj  vrapimi, përshpejtim kah amshimi.
 

 Dëshmia - veprimtaria

 

Çka të cekim dhe dallojmë nga veprimtaria e Imzot Lucjan Avgustit? Shumçka, edhe pse jeta e tij tokësore ishte e shkurtë, gjithsejt 53 vjeçare. Megjithë atë ai ka lënë shenja dhe gjurma të pashlyeshme në kujtimet dhe zemrat e njerëzve kudo, në Ferizaj, në Shkodër, në Vau Dejë, në viset e ndryshme shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të botës.

Ajo që binte në sy ishte qetësia, gëzimi, hareja, lumturia, vullneti për jetë dhe punë, komunikimi në vazhdimësi. Gjatë jetës pati detyra të vështira dhe me shumë përgjegjësi, në një kohë “pa kohë”. Po i përmendi vetëm disa:

Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës, Pajtores së Kishës dhe Popullit Shqiptar,  si dhe të gjitha objektet dhe subjektet në Shqipëri, kishin nevojë për rindërtim dhe meremetim rrënjësor, pas rrënimeve komuniste dhe ateiste. Imzot Lucjan Avgustini i ka udhëheq punimet në këtë  Shenjtërore, dhe nga viti 1998, ishte përgjegjës shpirtëror dhe baritor i të njëjtës shenjtërore.

Si famullitar i katedrales së Shkodrës ka udhëhequr punimet dhe  përfunduar ndërtimin e  kambanares së  kësaj Katedrale. Po ashtu ishte përgjegjës edhe për ndërtimin e kishës së re në Hot të Ri. Mirëpo punët rreth ndërtimtarisë atë kurrë nuk e kanë ndarë prej punës baritore, prej shkrimit dhe leximit, studimit, prej jetës dhe veprimtarisë meshtarake.
Kjo më së miri është dëshmuar edhe me angazhimin e tij në Institutin Kateikistik të Shkodrës që nga viti 1994, ku ishte dalluar si mësimdhënës dhe pedagog i shquar dhe tejet i dalluar. Ligjëratat e Don Lucjan Avgustitin ende përkujtohet me shumë nderim dhe falënderim, mbi të gjitha me fe dhe dashuri.
Viti 1997 për Shqipërinë demokratike ishte sfidë tejet e madhe dhe shumë e rrezikshme. “Flisnin armët”, grupet dhe grupacionet, mbi të gjitha urrejtja e akumuluar tashmë me dekada. Njerëzit mendonin se ka ardhur koha për ta “ndarë” drejtësinë, për ta marrë pushtetin në dorë. Besimtarët, ndër ata, edhe të krishterët, ishin të hutuar, të frikësuar dhe të habitur. Mungonte ndonjë zë me autoritet. Don Lucjan Avgustini,  së bashku me përfaqësuesit e dy komuniteteve tjera në Shkodër, doli në pah dhe ka kontribuar shumë për paqen dhe përmirësimin e gjendjes tejet të vështirë pas trazirave të marsit të njëjtit vit.  Ai guximisht dhe heroikisht iu kundërvu së keqes, urrejtjes, dhunës së verbët, me fjalë, mësim, qortim, edhe më shumë me jetë dhe me shembull. Për këtë kontribut, Këshilli i Bashkisë Shkodër e nderon me titullin "Qytetar nderi" i qytetit të Shkodrës.
Vitet 1998 – 1999 ishin sfida më e madhe për Kosovës, bile edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Afro 1 milion njerëz ishin të shvendosur në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, kudo në botë… Dukej egzodi biblik… Don Lucjan Avgustini, me bashkëpunëtorë të Caritasi të Shkodrës, angazhohet për pritjen,  kujdesin, strehimin dhe sistemimin e të larguarve me dhunë nga Kosova, diku afro 8000.
Një ndër fushëveprimet e tij të dalluara ishte pa dyshim mbrojtja e jetës në të gjitha fazat, nga ngizja dhe shtatzënia, deri te vdekja e natyrshme. Shi për këtë ishte anëtar aktiv  i "Lëvizjes për jetën", duke e luftuar vendosmërisht abortin, dështimin, dhe moskujdesin ndaj të sëmurëve dhe të moshuarve.
Në këtë stil dhe domethënie ka ndërtuar pranë Residencës Qendrën për të moshuar, për fëmijë me të meta dhe pa kujdes, për nevojtarë dhe të varfër, si “Shtëpia e bëmirësisë”, ku Mon. Lucjani ku shërbente me shumë kënaqësi dhe lumturi. Aty përjetonte dhe dëshmote shpirtin e bamirësisë, apo të “Nënës Tereze” si do të thonte ai.
Ishte ligjërues, konferencier i mirë në vende të ndryshme të botës, duke paraqitur historinë, lashtësinë, martirizimin tonë shekullor, mbi të gjitha tiparet dalluese të krishterimit ilir, arbëror dhe shqiptar.

Nga kjo që shkrova dhe theksova mund të përfundojmë që Imzot Lucjan AVGUSTINI ishte një figure e ndritur dhe komplete e meshtarit të Kishës katolike, një Bari – ipeshkëv me zell të madhe baritor, prej të cilit kemi pasur shumë dhurata, karizma dhe virtyte, ndër të cilat spikasin feja e gjallë dhe vepruese, shpresa e fortë dhe e pathyeshme, në çdo kushte dhe rrethanë, mbi të gjitha dashuria flijuese dhe dhuruese për Zotin, Kishën, Njeriun.

Mirëpo atëherë kur pritej prej Imzot Lucjan Avgustinit më së shumti, iu ndërpre ecja, hovi, vazhdimi. Zoti e thirri nga kjo jetë në amshim. Përse dhe si, vetëm Ai e di, Ne na mbesin shumë kujtime dhe përjetime të bukura, ungjillore, shumë vepra që do të përmenden dhe s’do të harrohen. Na mbetet feja dhe urata si komunikim me Zotin, nëpërmjet Tij, me Imzot Lucjan Avgustini, me të parët tanë që na prijnë në amshim.

 

 Nga Fjala e Imzot Lucjan Avgustinit pas shugurimit ipeshkvor

 

Për të “shijuar” figurën dhe personalitetin e Imzot Lucjan Avgustinit, ia disa fjalë dhe mendime nga fjala e rastit pas shugurimit ipeshkvor (5 janar 2007):

“Me njoftimin e parë se Ati i Shenjtë Benedikti XVI më ka zgjedhur që të jem ipeshkëv, më ra ndër mend thirrja e Jeremisë profet dhe përgjigja e tij se është fëmijë dhe se nuk din të flet, e Zoti u përgjigj: “Mos thuaj jam fëmijë. Por shko te të gjithë ata që të dërgoj… mos ki kurrfarë frike, sepse unë jam me Ty…


Të jesh ipeshkëv do të thotë thirrje për të dëftuar Jezu Krishtin dhe për ta shpallur mësimin e tij. Kjo thirrje nuk më largon nga populli, por përkundrazi më mundëson dhe kërkon nga unë që të jem në mes të popullit, për ta mësuar me mësimin e Ungjillit, për të jetuar në dashuri dhe falje, për ta ushqyer me Korpin e Gjakun e Tij, për t’i qëndruar besnik Krishtit dhe zëvendësit të tij në tokë, Shën Pjetrit dhe pasardhësve të tij, sipas shembullit të parëve dhe martirëve tanë, të cilët edhe para pushkatimit kanë brohorit me zë: Rroftë Krishti Mbret, rroftë Papa, rroftë Shqipëria, i fali ata që më pushkatojnë...

Ju të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare ju premtoj se do të mundohem të jem në gjithçka para jush, të ju prij i pari për të mirën e grigjës që na është besuar.
 

Një falënderim i posaçëm dhe lutje i takon, dritë paçin: Dom Gaspër Gjinit nëpërmjet të cilit Zoti më thirri në meshtari. Ai më ushqeu zemrën dhe mendjen për dashuri ndaj Shqipërisë, atëherë kur këtu gjithçka ishte e ndaluar, më thoshte “kumar Shqipëria na pret. Aty është derdhë gjaku i martirit tonë Dom Shtjefën Kurti-t”. Me të njëjtin mall dhe respekt kujtoj edhe Imzot Nikë Prelën dhe Imzot Mark Sopin të cilët më mësuan shumë, e mua më mbetet që të lutem për ta...

Dëshiroj të ju shprehi mirënjohjen time autoriteteve kishtare këtu të pranishme, Ju të dashur vëllezër në episkopat, shuguruesin tim Imzot Angelo Massafra, arqipeshkëv i Shkodër-Pulit, me të cilin edhe kam bashkëpunuar me vite si meshtar dhe Vikar gjeneral i dioqezës, dy bashkëshuguruesit Imzot Zef Gashi, arqipeshkëv i Tivarit, Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkëv i Tiranë – Durrës, Imzot Dodë Gjergjin ipeshkëv në Kosovë, shokun tim të pandashëm që nga fëmijëria. Falënderoj të gjithë meshtarët, rregulltarët dhe rregulltarët këtu të pranishëm, kisha dashtë që secilin të përmendi me emër dhe të falënderoj për praninë tuaj, mbështetjet me lutje dhe bashkëpunimin në punën baritore. Të gjithëve përzemërsisht iu falënderoj...

Të falënderoj o Zot për nderin që ma bëre dhe më jep fuqinë dhe urtinë të mundem të punoj në këtë tokë martire, këtë dioqezë që ma besove, po me të njëjtën dashuri dhe flijim sipas shembullit të paraardhësve të mi Budit, Bardhit, Mjedës, Serreqit, Kolecit, Thaqit, Prennushit, Volaj dhe së fundmi Imzot Dodë Gjergjit të cilin posaçërisht e falënderoj për punën e bërë deri sot, për çdo djersë të ballit të derdhur, për çdo mësim këshillë dhe fjalë që ia ka dhuruar kësaj dioqeze për rimëkëmbjen e saj.

Faleminderit të gjithëve të pranishmëve në këtë Kishë dhe jo të pranishmëve që në çfarë do lloj mënyre më përcollët dhe me ndihmuat, me lutje, mësime, këshilla, gëzime dhe vështirësi”

 

Prishtinë, 23 maj 2016                                                   Don Lush GJERGJI

 








All the contents on this site are copyrighted ©.