2016-05-26 15:58:00

Françesku: Jezusi na dhurohet në Eukaristi për ta mbështetur jetën tonë


Në Vatikan, sot festohet Solemniteti i Korpit dhe i Gjakut të Krishtit, që Kisha Katolike në vende të ndryshme do ta kremtojë të dielën, më 29 maj. Papa Françesku kremtoi Meshën në orën 19.00, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran në Romë. Menjëherë pas saj, procesioni eukaristik përgjatë rrugës Merulana, për të mbërritur deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

“Jezusi na dhurohet në Eukaristi, ofron vetveten si ushqim shpirtëror, që mbështet jetën tonë”: kështu shkruan Ati i Shenjtë Françesku në tweet-in e sotëm në nëntë gjuhë. Në liturgji, kësaj radhe, marrin pjesë edhe shtegtarët, që Papa i ftoi personalisht të mërkurën në fund të audiencës së përgjithshme. Ati i Shenjtë e ka thënë shpesh se Eukaristia është lidhje bashkimi me Zotin, që na ndihmon në jetë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët, për të ndihmuar të varfërit e nevojtarët. Ajo na kujton bukën e thyer nga duart e Krishtit, që është për ne bukë e gjallë; na kujton se vetë Jezusi na thotë: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim”, duke vënë në dukje rëndësinë e përsëritjes së gjestit me të cilin e themeloi Eukaristinë.

Ungjilli i festës, sipas Lukës, tregon për shumëfishimin e bukëve e të peshqve. Edhe në atë rast, thyerja e bukës dhe ndarja e saj me të tjerët përkon me fillimin e frazës me të cilën Krishti themeloi Eukaristinë: “Bëjeni këtë”. Jezusi dëshiron që kjo ndarje me të tjerët t’i ngopë njerëzit jo vetëm për një ditë, por t’i shëlbejë për amshim. E megjithatë, ky shëlbim kalon përmes dy gjesteve të vogla: ofertës së bukës e të peshqve, pra të asaj pak që kemi dhe; marrjes së bukës së thyer nga duart e Jezusit për t’ua shpërndarë të gjithëve.

Sa të krishterë e kanë njohur dhe e kanë ndjekur Krishtin pikërisht në atë “thyerje të bukës” nga duart e Tij. Sa të krishterë, shenjtorë të njohur e të panjohur, e kanë “thyer” jetën për të tjerët; sa nëna e kanë thyer zemrën për fëmijët, sa të tjerë e kanë bërë këtë për të mbrojtur dinjitetin e njeriut, sidomos dinjitetin e të varfërve, e të brishtëve, e të mënjanuarve. Gjithnjë të ndihmuar nga Eukaristia.

Festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit u themelua nga Papa Urbani IV në vitin 1264, pas mrekullisë së Bolsenës. Ishte vitit 1263 kur një prift bohem, në shtegtim drejt Romës, u ndal të kremtonte meshën në këtë qytezë laciale. Me dyshime për praninë e vërtetë të Jezusit në Eukaristi i kërkoi Zotit një shenjë: pa pritur disa pika gjak rrodhën nga hostja e shuguruar, duke lagur korporalin, që akoma sot, ruhet në Duomon e Orvietos.








All the contents on this site are copyrighted ©.