2016-05-23 19:27:00

Papa për Takimin e Stambollit: ta dëgjojmë britmën e të vuajturve


Nuk duhet të ketë familje pa shtëpi, refugjat pa mikpritje, njeri pa dinjitet, të plagosur pa mjekim, fëmijë pa fëmijëri, të rinj pa të ardhme, të moshuar pa pleqëri dinjitoze. Këtë kërkon Papa Françesku në mesazhin për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, me rastin e ditës së parë të Takimit Humanitar Botëror. Duhet të impenjohemi personalisht e të gjithë bashkë, lexohet në tekst, “duke koordinuar forcat e nismat, duke respektuar aftësitë dhe përvojën, pa diskriminime e me mirëkuptim”.

Rast për t’u ndryshuar jetën miliona njerëzve

         Ky Takim, për Atin e Shenjtë, “është rast për t’u ndryshuar jetën miliona njerëzve, që kanë nevojë për mbrojtje, kura dhe ndihmë e, që kërkojnë një të ardhme dinjitoze”. Papa uron që nga kjo mbledhje e nivelit të lartë të arrihen rezultate, të cilat “ vërtet të kontribuojnë në lehtësimin e vuajtjeve të miliona njerëzve”, përmes solidaritetit të sinqertë e respektit të thellë për të drejtat e për dinjitetin e atyre, që vuajnë për shkak të konflikteve, të dhunës, të persekutimit e të fatkeqësive natyrore. Viktimat, shkruan Papa, janë njerëzit më të brishtë, ata që jetojnë në kushte mjerimi e shfrytëzimi.

Jo “tregut” të ndihmave

         Sot, zgjidhja e konflikteve pengohet nga shumë interesa, nga strategji ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike, që i detyrojnë njerëzit të zhvendosen, duke u imponuar atyre zotin e parasë, zotin e pushtetit. Njëkohësisht, thekson Papa, përpjekjet humanitare kushtëzohen shpesh nga detyrime tregtare dhe ideologjike. Prandaj, nevojitet një impenjim i ri për ta mbrojtur çdo njeri në jetën e përditshme, për t’i mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat, sigurinë dhe nevojat e tij të përgjithshme.

Askush të mos mbetet mbrapa

         Është e nevojshme, vijon Ati i Shenjtë, të mbrohet liria dhe identiteti shoqëror e kulturor i popujve, pa i izoluar, por duke favorizuar bashkëpunimin, dialogun e sidomos, paqen. “Të mos lihet askush mbrapa” e “secili të bëjë ç’të mundet” (dy nga objektivat e Takimit) janë synime, që kërkojnë të mos dorëzohemi e të marrim përsipër përgjegjësinë e vendimeve e të veprimeve tona.

T’i njohim ata, që kujdesen për shoqërinë

         Papa Françesku shpreson që Takimi botëror të jetë edhe rast për t’u njohur me punën e atyre, që ndihmojnë të afërmin, që kontribuojnë për lehtësimin e vuajtjeve të viktimave të luftës e të fatkeqësive, të të shpërngulurve dhe të refugjatëve. Të njihemi, uron Ati i Shenjtë, me impenjimin e atyre, që kujdesen për shoqërinë, në veçanti, përmes vendimeve të guximshme në favor të paqes, të respektit, të shërimit të shpirtrave e të faljes. Vetëm kështu, nënvizon Papa, mund të shpëtohen jetë njerëzish.

Nuk duam fort idetë, por njerëzit

         “Askush nuk dashurohet me një koncept apo me një ide, ne duam fort njerëzit. Vetëflijimi, dhuratë e vërtetë e vetvetes, lind nga dashuria për burrat e gratë, për fëmijët e të moshuarit, për popujt e bashkësitë… për fytyrat, për sytë e emrat, që na i mbushin zemrat”. Papa Françesku sfidon Takimin: u kërkon pjesëmarrësve “ta dëgjojnë vajin e viktimave dhe të të vuajturve”. T’u japin atyre mundësinë të na mësojnë ç’është humaniteti, ndërsa neve, të ndryshojmë mënyrën e të jetuarit, politikat, vendimet ekonomike, sjelljet dhe ato qëndrime që mbajmë, kur mendojmë se jemi superiorë nga pikpamja kulturore. “Duke mësuar nga viktimat e nga të vuajturit – përfundon Papa – do të jemi në gjendje të ndërtojmë një botë më njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.