2016-05-23 15:11:00

Në Vatikan, përqafimi i Papës me Imamin e Madh të Al-Azharit, Al-Tayyib


Sot, në orën 12.00, në Pallatin Apostolik, Papa Françesku priti në audiencë Imamin e Madh të Al-Azharit, prof. Ahmad Muhammad Al-Tayyib. Imami u takua jo vetëm me Atin e Shenjtë, por edhe me kreun e Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, kardinalin Jean Luis Tauran dhe me sekretarin e dikasterit, imzot Miguel Angel  Ayuso Guixot.

Biseda e përzemërt zgjati 30 minuta

Dy bashkëbiseduesit e rëndësishëm vunë në dukje domethënien e madhe të këtij takimi, në kuadrin e dialogut ndërmjet Kishës Katolike dhe botës islamike. Më pas, folën kryesisht për impenjimin e përbashkët të autoriteteve dhe të besimtarëve të të gjitha feve për paqen në botë, për kundërshtimin e dhunës e të terrorizmit, për gjendjen e të krishterëve në zonat e konfliktit e të tensionit në Lindjen e Mesme dhe për mbrojtjen e tyre. Ati i Shenjtë i dhuroi Imamit të Madh medaljonin e ullirit të paqes dhe një kopje të Letrës së tij Enciklike “Lëvduar qofsh”.

Takimi i Imamit të Madh me kardinalin Tauran

Pas audiencës me Papën Françesku, Imami i Madh dhe delegacioni që e shoqëronte, u takuan për një bisedë të shkurtër edhe me autoritetet e dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, për t’u larguar nga Pallati Apostolik rreth orës 13.00. Në një notë të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, vihet në dukje niveli i lartë i delegacionit, që shoqëronte Imamin. Në të merrnin pjesë zv.sekretari i Al-Azharit, që është qendra më e rëndësishme sunite e botës; drejtori i Qendrës për dialogun në Al-Azhar, anëtar i Këshillit të Universitetit; një gjykatës, këshilltar i Imamit të Madh; sekretari i përgjithshëm i Akademisë për punën kërkimore islamike; këshilltarë e ambasadorë.








All the contents on this site are copyrighted ©.