2016-05-23 12:32:00

Kthehet në Shtëpinë e Atit Qiellor, imzot Lucjan Avgustini


Në festën e Trinisë Shenjte, Ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustini u kthye në Shtëpinë e Atit Qiellor pas një sëmundjeje të rëndë. Të mërkurën me datë 25 maj 2016, në orën 10.00 do të kremtohet Mesha e Salikimit dhe pas Meshës trupi i tij do të prehet në kriptën e katedrales. Që dje kanë filluar homazhet në katedralen e Nënë Terezës në Vaun e Dejës

Lucjan Avgustini, lindi me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në Ferizaj, të mesmen në gjimnazin klasik në Suboticë, fakultetin teologjik në Zagreb, ku edhe është diplomuar në Teologji Morale.

Me 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit, nga Imzot Nikë Prela.

Me 10 shtator 1989 emërohet ndihmës për botime liturgjike në gjuhën shqipe dhe ushtron detyrën e sekretarit të Imzot Nikë Prelës. Në fillim të marsit 1991 vjen për herë të parë në Shqipëri, si i dërguar i ipeshkvit të Kosovës, Imzot Nikë Prela. Merr pjesë në hapjen e shtëpisë së parë të murgeshave të Nënës Terezë në Tiranë dhe pastaj në hapjen e Kishës Katedrale në Shkodër.

Në vitin 1992 emërohet drejtor i Caritas-it të Kosovës, institucion ky, i sapoformuar.

Në prill të vitit 1993 emërohet famullitar në Ferizaj.

Në vitin 1994, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Kishës në Shqipëri, ofrohet vullnetarisht për mbarështimin e shërbesës baritore në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Si fillim ka ushtruar detyrën e ndihmës famullitarit në Katedralen e Shkodrës ndërsa nga korriku i vitit 1995 emërohet famullitar i saj.

Në vitin 1997, me 24 maj, emërohet prej Atit të shenjtë, Shën Gjon Pali II, Kapelan i tij duke i dhënë titullin Monsinjor.

Në vitin 1998 nga Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra emërohet në detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të kësaj Dioqeze.

Në dhjetor të vitit 2006 emërohet Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës. Me dt 6 Janar të vitit 2007 shugurohet Ipeshkëv në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau-Dejës.

Gjatë viteve 2009 – 2012 ushtroi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë.

Në vitin 2012 zgjidhet Nënkryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, detyrë të cilën akoma vazhdon ta kryejë. Në brendësi të Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, ushtron edhe detyrën e Kryetarit të Komisionit për Ekumenizëm, të Komisionit për Kulturë dhe atë për Katekezë.








All the contents on this site are copyrighted ©.