2016-05-23 13:39:00

Françesku: jo pasuria, por Jezusi na dhuron gëzimin e vërtetë


I krishteri nuk mund të ekzistojë pa gëzim. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në shtëpinë e shën Martës, në Vatikan. Papa nënvizoi se, edhe në vuajtjet e jetës, i krishteri di të besojë e të mbështetën në Jezusin dhe të jetojë me shpresë. Ati i Shenjtë Bergoglio, pastaj, bëri një thirrje të re të mos lejojmë të sundohemi nga pasuria e cila në fund të fundit sjell vetëm trishtim.

I krishteri jeton në gëzim e në mahnitje falë Ngjalljes së Jezu Krishtit. Duke komentuar Leximin e Parë të Meshës së sotme nga Letra e Shën Pjetrit Apostull (1Pt 1,3-9), Papa Françesku nënvizoi se, edhe nëse jemi të sprovuar nga vështirësitë e ngushticat, nuk do të na hiqet gëzimi, “i asaj që Zoti ka bërë në ne”, sepse Ai “na ka rilindur në Krishtin e na ka dhënë shpresën” që na fal gëzimin:

“I krishteri është njeri i gëzimit, është burrë e grua me gëzimin në zemër. Nuk ka të krishterë pa gëzim! ‘Po, Atë, po unë nuk kam pa shumë të tillë!’ – ‘Nuk janë të krishterë! Thonë se janë të krishterë, por në realitet nuk janë! U mungon diçka’. Karta e identitetit të të krishterit është gëzimi, gëzimi i Ungjillit, gëzimi i atij që është zgjedhur nga Jezusi, shpëtuar nga Jezusi, rilindur nga Jezusi; gëzimi i asaj shprese që na siguron se Jezusi na pret, gëzimi që – edhe në kryqet e në vuajtjet e kësaj jete – shprehet në një mënyrë tjetër, që është paqja e sigurisë se Jezusi na shoqëron, se është me ne”:

E pastaj Papa Françesku u ndal te fragmenti i Ungjillit të sotëm, që rrëfen takimin ndërmjet Jezusit e një të riu të pasur. Një njeri ky, tha, që “nuk qe i aftë ta hapë zemrën ndaj gëzimit e ka zgjedhur trishtimin”, “sepse kishte shumë pasuri e të mira”:

“Ishte i kapur për të pasuri! Jezusi na pati thënë se nuk mund t’i shërbejmë dy pronarëve: ose jemi shërbëtorë të Zotit ose jemi shërbëtor të pasurive. Pasuritë nuk janë të këqija në vetvete: por t’i shërbesh pasurisë është ligësi. I gjori u largua nga Jezusi e iku i trishtë ...’Ai u errësua në fytyrë dhe u iku i mërzitur’. Kur në famullitë tona kishtare, në komunitetet tona, në institucionet tona gjejmë njerëz që pohojnë se janë të krishterë e që duan të jenë të krishterë por janë të trishtë, diçka ndodh aty, diçka që nuk shkon. E duhet t’i ndihmojmë këta njerëz që ta gjejnë Jezusin, të lirohen prej trishtimit, në mënyrë që të gëzohen me Ungjillin, që të mund ta kenë këtë gëzim që është pikërisht i Ungjillit”.

E kështu le të ndalemi te “gëzimi e mahnitja”. “Mahnitja e mirë – tha Papa – para dëftimit të Hyjit, para dashurisë së Zotit, para emocioneve të Shpirtit Shenjt”. I krishteri “është burrë e grua e mahnitjes”. Një fjalë, vuri në pah Papa, që sot rikthehet në fund të fragmentit ungjillor është ajo, “kur Jezusi u shpjegon Apostujve se pse djali i ri kaq i mirë dhe i zoti nuk arriti ta ndiqte pas, sepse ishte i kapur pas pasurive”. Atëherë, kush mund të shëlbohet, pyesin Apostujt? Atyre Zoti Jezusi u përgjigjet: “E pamundur për njerëzit”, “por jo për Zotin!”.

Gëzimi i krishterë, pra, “mahnitja e gëzimit, është ndërgjegjësimi se shpëtimi jetës së kapur pas sendeve, pas mondanitetit – pas kaq shumë mondanitetesh që na shkëpusin prej Jezusit – arrihet vetëm me forcën e Zotit, me forcën e Shpirtit Shenjt Hyj”:

“T’i kërkojmë sot Zotit që të na dhuroi soditjen e Tij, mahnitjen për ato shumë pasuri shpirtërore që na i dhuron; e me këtë mahnitje na fal gëzimin, gëzimin e jetës e të të jetuarit në paqe edhe në mesin e shumë vështirësive; e na mbron që të ruhemi nga kërkimi i lumturisë së gjërave që në fund të fundit na trishtojnë: që premtojnë shumë, por nuk na japin asgjë! Kujtojeni mirë: i krishteri është burrë e grua e gëzimit, e gëzimit në Zotin; burrë e grua të mahnitjes” të të mirave që vijnë prej Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.