2016-05-20 00:00:00

“Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës. Falja e mëkateve dhe feja që shpëton


“Falja e mëkateve dhe feja që shpëton”, është titulli i Emisionit të 39-të të rubrikës “Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës”.

E takuam, në emisionin e kaluar, Jezusin, në një drekë, gjatë së cilës Zoti i shkandulloi gjithë të ftuarit, që nisën të pyesnin, të çuditur: “E kush është ky, që po na i falka mëkatet?”(v 49). Pyetja ka pas një përgjigje të vetme logjike: “Kush mund t’i falë mëkatet, përveç Zotit?” (5,21). E që Zoti t’i falte mëkatet, ishte e detyrueshme t’i shlyeje, sipas Ligjit. Prej këndej, për farizenjtë, Jezusi përvetëson një të drejtë hyjnore, jo njerëzore; e ky është shpërdorim i pushtetit!

Gjithsesi pikërisht ky shpërdorim e shkurton distancën ndërmjet shëmbëlltyrës dhe realitetit të takimit në Shtëpinë e Simonit. Përmes pushtetit për t’ia falur mëkatet një mëkatareje, Jezusi përkon me mënyrën si vepron Zoti: dhe e bën këtë, ngaqë e di mirë se mëkatarja pati, qysh në fillim, besim të plotë në pushtetin e Tij. Prandaj, si mori vesh se Krishti ishte në shtëpinë e Simonit, vrapoi të blinte parfumin e kushtueshëm, për të kapërcyer, më pas, çdo pengesë, me fe të patundur. Sepse besonte në Jezusin e në aftësinë e Tij për t’i falur mëkatet, ashtu si huadhënësi, që i fali pesëqind denarët. 

Feja është i vetmi kusht, që kërkon Jezusi për t’u shëlbuar: është emëruesi i përbashkët i mrekullive të Tij. T’ia falësh mëkatin një mëkatareje, është  njëlloj si të shërosh një të paralizuar ose t’i rikthesh dritën e syve një njeriu të verbër: në të  tre rastet, është feja, që shpëton, jo mrekullia.

Ç’ndikim ka mbi bashkësinë?

 Hapim faqen e një shëmbëlltyre të re; asaj të Mbretit të mëshirshëm, rrëfyer tek Mateu (18,23-35). Ashtu si në shëmbëlltyrën e Lukës (7, 41-43), flitet për një huadhënës (Mbreti) dhe dy huamarrës (shërbëtorët). I pari i ka borxh mbretit dhjetëmijë talente; mbreti përmallohet nga lutja e tij dhe ia fal borxhin. Por, për fat të keq, pa dalë mirë nga pallati, vetë shërbëtori takon një shërbëtor tjetër, që i detyrohet njëqind denarë: i sulet egërsisht e, pa pyetur fare për lutjet e tij, e  flak drejt e në burg.

Shpërpjestimi ndërmjet borxheve është i pallogaritshëm: nëse në kohën e Jezusit një talent përkonte me dhjetëmijë denarë, dhjetëmijë talente ishin një shumë e pakrahasueshme me njëqind denarët, që i ka borxh shërbëtori i dytë - të parit. Praktikisht, vetëm me një muaj punë, shërbëtori i dytë do të mund ta shlyente borxhin. Po hiri, që pati shërbëtori i parë, është krejt i kotë. Si e mori vesh ç’kishte ndodhur, Mbreti e dënoi: “Shërbëtor i keq, unë ta fala gjithë borxhin, sepse m’u lute. A nuk duhej që edhe ti të kishe pakëz mëshirë për shokun tënd, siç pata unë për ty? (Mt 18,32-33). Atëherë  mbreti ua dorëzoi shërbëtorin rojeve. E ata e flakën në burg, ku do të kalbej, në pritje për ta larë borxhin deri më një. Gjë që nuk do të mund ta bënte edhe sikur të punonte një jetë të tërë. Përfundimi i shëmbëlltyrës është dramatik; “Kështu do të bëjë Ati im qiellor edhe me ju, nëse nuk do të falni me gjithë zemër, secili vëllain e vet” (18,35).

Edhe kjo shëmbëlltyrë shërben për të shpjeguar gjestin e pashembullt të Jezusit. Në Ungjijtë nuk ka episod më intim, sesa ai, që ndodh në shtëpinë e Simonit, ku shikojmë një mëkatare, e cila ia prek këmbët Jezusit, ia lan me lot, ia fshin me flokë, ia puthë me buzë. Në asnjë nga skenat e tjera ungjillore Jezusi nuk pati kaq intimitet me ndokënd, as me nënën e tij. Po kjo është skena e mëshirës së Zotit. Mëshira e Zotit  takohet me mjerimin njerëzor dhe e shëlbon.








All the contents on this site are copyrighted ©.