2016-05-20 09:40:00

Prof. Ernest Koliqi në përvjetorin e lindjes.


Kujtojmë prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e lindjes.
Ernest Koliqi, shkrimtar, studiues, publicist, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave, që dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri, ku qe ministër arsimi dhe në diasporën shqiptare, duke themeluar Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit romak "La Sapienza” e shumë e shumë veprimtari e vepra monumentale. Ja një jetëshkrim mbi Ernest Koliqin nga njëri prej njerëzve e bashkëpunëtorëve të tij më të afër, Petro Vuçani.   
Petro T. Vuçani për jetën dhe veprat e Prof. Ernest Koliqit
1903. Lindi në Shkodër me 20 maj. Qysh në fminì u dallue për lexim e shkrim.
1918 E derguen n’Itali me studjue. Bashkë me studenta tjerë themeloi në Bergamo të përjavshmen studenteske “Noi, giovani” (“Na, të rijt”), ku botoi vjershat e para n’italisht.
1921. Ktheu në Shqipnì e u vu me zell me xanë gjuhën shqipe. E shtyni në veprimtari letrare patrioti Luigj Gurakuqi, e në kët kohë lidhë miqsì me të rijt e atëhershëm të Shkodrës, si Kolë Thaçi, Shuk e Karl Gurakuqi, Loro Ashiku, Dom Lazër Shantoja, Kolë e Lin Kamsi. Fiton konkursin e Ministrìs s’Arsimit për nji hymën kombëtar të propozuem prej Këshillit Ministruer. Juria ishte e përbame nga: P. Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Midëhat Frashëri e Luigj Gurakuqi.
1931 Sëbashku me P. Anton Harapin e Nushi Topallin themelon fletoren Ora e Maleve. Kjo fletore pat nji sukses të madh, jo vetëm në fushën politike, por edhe n’atè letrare të kohës. Këtu bani hapat e para në lamin letrar, nën drejtimin e Luigj Gurakuqi e të Fishtës.
1924 Hyni me ba pjesë në Shoqnìn Bashkimi, krijue nga Avni Rustèmi. Në kët vjet qe i detyruem me u largue prej Atdjeut e u shtrengue me ndejtë pesë vjet në mërgim në Jugosllavì. Këtu mësoi gjuhën e vendit e filloi me lexue autorët mà të mëdhej serbo-kroatë.
Gjithmonë i nxitun e i këshilluem nga Luigj Gurakuqi, shkroi e botoi poemthin Kushtrimi i Skanderbeut me përmbajtje patriotike. Pikërisht kjo vepër i dha shpresa të mëdha për të hymë përgjithmonë në botën e letrave shqipe.
1929 Boton në Zara vëllimin e novelave Hija e Maleve, ku paraqitën jo vetëm ngjarje të jetës malsore, por edhe qytetare, tue u bazue përhera në frymën e Kanunit të Lek Dukagjinit. Po këtë vit kthehet në Shqipnì me vëllimin e novelave. Suksesi i këtij libri e pagëzoi si krijuesin e novelës shqipe.
1930-33 I kushtohet për disa vjet arsimit dhe ushtron si mësues në Vlonë e Shkodër.
1932 Del në dritë vëllimi i parë i përkthimeve të bukura Poetët e Mëdhej t’Italìs, me poezi nga Dante, Petrarka, Ariosto e Taso, tue u shoqnue me nji parathanje të At Gjergj Fishtës. Përkthimet qenë pritë ma se mirë si prje lexuesve, ashtu edhe nga kritika.
1933 Boton librin e vjershave Gjurma e Stinve, ku paraqiten në nji frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane.
1934 Bashkëpunon në të përkohshmen Illyria, e përjavshme kulturore, qysh nga fillimi.
1935 Boton poemthin në prozë Quattuor. Po në këtë vit del libri i dytë i novelave: Tregtar Flamujsh, në të cilin jeta shkodrane asht paraqitë edhe ma me hollsì psikologjike. Në këto novela spikatet ma së miri mendimi i ri i autorit.
1935 Boton vëllimin e dytë të antologjìs Poetët e Mëdhej t’Italìs, me poezi nga Parini, Monti, Foscolo e Manzoni. Do të dilte edhe vëllimi i tretë, por për arsye të ndryshme nuk u botue. Veçse shum poezi e fragmente të Leopardi-t, Carducci-t, Pascoli-t e D’ Annuzio-s duelën në dritë në të përkohshme e fletore të kohës e në vëllimin Manuela di Lingua albanese të P. Fulvio Cordignano-s.  Vëllimin e dytë e paraqiti albanologu, mjeshti i tij, prof.. Carlo Tagliavani, e kritikën e pat bà Dom Ndré Mjedja në të përkohshmen Leka. Përktheu edhe kritika prej Diego Valeri-t, Enrico Grassi-t, Emil Verhaeren e Charles Daudelaire.
1937 Emnohet Ministër i Arsimit. Përnjiheri mblodhi në Ministrì gadi krejt studjuesat e shkrimtarët ma të spikatun e filloi botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Botimi i këtyne teksteve ka qenë nji kryevepër që s’asht përsëritë ma. Mjafton me theksue dy vëllimëshin Shkrimtarët Shqiptarë, vëllimet Bota Shqiptare, Rreze Drite e Te Praku i Jetës e sidomos vazhdimi i mbledhjes së folklorit me botimin e blènvet Visaret e Kombit që deri atëherë kishin dalë në dritë vetëm tre vëllime e me ardhjen e Koliqit në Dikasterin e Arsimit mbrrijti deri në XIV vëllime, tue mbete edhe sot e kësaj dite monomenti mà me randësì për studimin e folklorit shqiptar.
Po në kët vit mënohet titullar i Kathedrës së Gjuhës e Letërsìs Shqipe n’Universitetin e Romës. Mà përpara pat qènë si i ngarkuem i kësaj dege në Universitetin e Padova-s. Themelon të përkohshmen Shkëndija që, mbrenda pak kohe, bahet votra e shkrimtarvet, tue njoftë lexuesit me nji numër të madh letrarësh të rij të talentuem të çdo krahine.
1940 Organizon në Tiranë nji Kongres të Studimeve Shqiptare, ku morën pjesë, përveç shqiptarvet, albanologët botnorë të famshëm, si prof. Carlo Tagliviani, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetano Petrotta etj. Etj. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë. Këtu filloi botimi i vëllimeve të mëdha Studime e Tekste, ku bashkpunuen linguista, jurista e folklorista si P. Zef Valentini, P. Bernardin Palaja e Ernesto Cozzi.
1941-42 Gjatë këtij viti shkolluer, si Titullar i Arsimit, dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese. Me kët rast u hapën nji numër bajagi i mirë shkollash fillore në shum vende e disa shkolla të mesme e u dha nji numër i shènjueshëm bursash. “...ma në fund, erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, që u realizue më 12 dhjetor 1941”. E këto shkolla “u banë baza me randësi për zhvillimin e përparimin e gjanë dhe të shumanshëm të arësimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë e sotëshme” (Rexhep Krasniqi në Shèjzat Vj. XVIII, nr. 1-10, faqe 8-11).
1942 Martohet me arsimtaren Vangjelija Vuçani. Prej saj i lindin dy fëmijë: Marco (Marku) dhe Elisabetta. Largohet nga Ministria e Arsimit dhe mënohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare për me muejtë kështu me vijue veprën e ndërmarrun nga Kongresi. Bashkëpunon edhe me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Adrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton etj.
1947 Nis me shkrue në fletoren L’Albanie Libre që posa kish fillue me dalë. Nga botimet e tij tshpeshta në kët fletore, po përmendim Kàngën e Kapedan Markut, kangë epike për vdekjen e Kapedan Markut, ku nalton trimnin e këtij Fatosi, që rà dëshmor në vjetin 1946 për lirinë e Atdheut e shpëtimin e krejt zakoneve t’ona fisnike; e më 1953 fillon me botue shkrimet për historìn e letërsìs Dy shkollat shkodrane (Shkolla e Jezuitve dhe Shkolla e Françeskajve).
1957 Me dekret të Presidentit të Republikës s’Italìs, datë 2 shtatuer 1957, Kathedra e Gjuhës e Letërsìs Shqipe e Universitetit të Romës, për meritë të Koliqit, nderohet tue u bà Institut i Studimeve Shqiptare.
Boton në Firenze vëllimin Poesia popolare albanese (“Poezija popullore shqiptare”) me tekste përball shqip e përkthime italisht.
Themelon të përkohshmen Shèjzat (La Pleidai), nji ndër monumentet mà të pazavendësueshëm të letërsìs shqipe. Në çdo numër të revistës gjindet nji shkrim i tij. Mjafton të shfletosëhet koelcjoni i 18 vjetve të së përkohëshmes për të njoftë figurën e Koliqit e idetë e Tija.
1959 Boton vëllimin Kangjelet e Rilindjes (“I canti della Rinascita”), me përkthimin italisht, ku i nxit Arbëreshët me ruejtë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdesìn e fisit. 
1960 Del në dritë romani Shija e bukës së mbrùme, ku ndihet dashunija e të mërguemit për tokën e vet, për dëshirën e madhe me pà Atdheun e që nuk mundet dot, sepse nji bishë e egër e mizore e ka shtrëngue në duert e veta.
Boton në revistën Quaderni dinunziani, fasc. XVIII-XIX, studimin Gabriele D’Anunzio e gli Albanesi.
1961 Përkthen italisht e boton me shënime në Shèjzat poemthin e Ali Aslannit Darsma Shqiptare.
Boton vëllimin Rapsodi e rapsodie delle Alpi Albanesi, ku flitet për trimnìn e burrnìn shqiptare.
1962 Përkthen italisht e me shënime shkoqitëse nga Lahuta e Malcìs së Fishës Kàngën e XXVI: Koha e Ré.
1963 Boton  Antologia della lirica albanese (“Antologjia e lirikës shqipe”), volum ku për të parën herë paraqiten në nji gjuhë europjane përkthimet e lirikat ma të mira t’autorvet shqiptarë të vjetër e të rij, e këtu duhen theksue veçanërisht ata të Kosovës për popullarizimin e tyren n’Europë.
Rishtypë Shtatë Pasqyrat e Narçizit (që i kishte botue së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqitenn shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtnore të shkrimtarit përballë botës arbnore.
1965 Del në dritë Albania, nji monografi italisht, botue në Enciclopedia dei popoli d’Europa, Milano. Asht hera e parë që nji enciklopedi paraqet objektivisht e me kjartësì nji pasqyrë të gjanë mbi Shqipninìn si në pikpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. Janë 160 faqe shtypi me plot fotografina krahinash e skajesh, kostumesh e personalitetesh.
1969 4 maj: i vdes bashkëshortja, krahu i djathtë në çdo veprimtari të tij. Zhdukja e saj i shkaktoi nji mungesë të pazavendësueshme e, ndoshta, shpejtoi edhe humbjen e tij.
1970 Riboton poemthin Symfonija e Shqipeve (që e kishte botue herën e parë po në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936). Vepërza ka për argument naltësimin e kohës së kalueme të fisit t’onë. E përktheu anglisht, më 1972, shkrimtari i ri Anesti Andrea.
1971 Përkthen italisht nga Lehuta e Malcìs epizodin e Marash Ucit (Kàngët: XII-XII-XIV e XV) me nji hymje e shënime shkoqitëse.
1972 Del në dritë vëllimi Saggi di Letteratura Albanese, Firenze. Asht nji përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunue gjatë disa vjetve.
1973 Vazhdon me e përkthye italisht e me e pajisë me shënime Lahutën e Malcìs: kët radhë epizodin Oso Kuka (Kàngët: II-III-IV e V).
1975 Vdiq papritmas në Romë, në banesën e vet, më 15 kallënduer e u varros po në kët qytet me datën 18. Po në Romë prehën prindët e tij dhe bashkëshortja e vet. Në ceremonin e asaj dite kishin ardhë Personalitete të ndryshëm, Kolegë, Shqiptarë, Arbreshë, Miq t’ardhun nga SHB, nga Turqija, Suedija, Gjermanija Perëndimorem, Franca, Belgjika e shum vende t’Italìs.
Nuk duhet harrue se më 1967 nisi botimin e seris Studi Albanesi (Studime Shqiptare), gjithmonë nën drejtimin e Koliqit, janë botue në pjesën Tradizioni popolari degli Albanesi d’Italia (”Traditat popullore të Shqiptarvet t’Italìs”) tre vëllime, e në pjesën Studi e Testi (“Studime e Tekste”) gjashtë vëllime të tjerë.
Veprat e tij janë përkthye gjermanisht, italisht, anglisht, arabisht, greqisht.
Bashkëpunoi e shkroi në revistat e fletoret mà me randësì Hylli i Dritës, Leka, Gazeta Shqiptare, Illyria, Përpjekja Shqiptare, Minerva, Besa, Koha jonë, Jeta Katholike, Lajmtari i të Mërguemit etj.

Shkurtimisht ky asht jetëshkrimi i Koliqit të Madh, e po dishrojmë me theksue këtu fjalët e nji tjetri të Madhim prof. Karl Kurakuqi, që më 1963 pat shkrue: “Nuk janë shum shkrimtarët t’onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare sà ai i Koliqit; të pakët janë atà, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapët në çdo kànd të Shqipnìs, sà ato qi ai i kà falë letërsìs. Janë katërdhetè vjet qi paprèmas e shofim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilavet themelue dhe mbajte prej tij vetë, në botime veprash qi janë të paracktueme të zànë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, nè historìn e letravet t’ona” ( Shèjzat, Vj. VII, 1963, nr. 5-8, faqe 163). Petro T. Vuçani ).

 

Poema Lutje e deshprueshme nga i mirënjoftuni poet e shkrimtar ERNEST KOLIQI u botue së pari në revistën JETA KATOLIKE SHQIPTARE të Monsinjor Zef Oroshit në New York me 1968.

Ju qi keqas t’vorrosun keq fleni ndër muràna
mbi shpate t’pjerrta n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor’, q’emën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhàna,
nën dhé me gjak t’uej t’rimun idhnìm’ nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq fleni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi eshtnat vrik ju dridhen kur del nji zà nga pylli,
a kur nji zhapllim’ hapash përbri muran’s ndëgjoni.

Ju qi n’msime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnìn e patët si mësuese,
ju qi lirìn kreshnike zgjedh’ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murana t’harrueme kërkoni kot pushimin:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumullisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, per flijen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe u rrzue me ju edhe fisi;
ato q’atdheut i kjenë ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigàne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku,
por nàma e fatit, nàma qi befas mbi né krisi.

N’ heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjohet kund zà njerit,
pran’ votres s’fikun nanat n’ vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërplotun plot shkndija mnije, sukën,
tue prit’ furìn ahmarrse qi t’thej’ t’primunt e mnerit.

Jo vàj por gjamë e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zà – mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona,
q’atdheut palcet gjallnuese ma t’mshefta po i a thanë.

O Perendi, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’ tè tash tridhet’ qindvjeta na u end e ndershme jeta.
Jetuem m’ kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhèn mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshni e marrdha,
n’ kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhìnat,
pa dijt’ qejfet e holla, pa dijt’ ç’ janë miradinat,
pa njoft’ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe,
qi e zbutshim n’ uj të kronit, s’lypshim kurrgjà mà shum,
sepse bylmet na kishim nji lirì t’ thjesht t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bànte gjakun t’lum.

Nanat me qumsht’ të paster andjen n’shpirt t’on’ dikojshin,
me fluturue si shqipe në qiell t’ nderit shqiptar,
n’ flak’t dokeve m’u kndellun e n’zjarm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendi, ndër shekuj ùja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hangër bukën m’e ruejt’ per fmin
e mitun q’ ish n’e rritun, por n’qe se ‘i mik në shpin
na msyni, ia vùm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lirìn e dy gisht nderi n’shtek t’ballit, s’kishim tjetër:
kto dy të mira zdritshin vobeksìn t’ on’ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Deshmorve u dridhen eshtnat n’vetmina plot murana
e qetì n’vorr nuk njofin as tash qi ata kan’ vdekë:
e, pra, gjat’ jetës luta T’ naltuen, Zot, n’ qiell’t e gjàna
e n’shekull udhën t’ Ande përhera shkuen tue ndjekë.

Pse nuk i a kput’ Ti kombit vargun e ditve t’zeza?
pse nanave kërcùna, mbështjellun n’ futa zije,
s’ i a zbardh’ ftyrat e zëmrat me nji reze lirije?
Pse nuk i fal’ deshmorve nji gjum të qet’ n’ vorreza?

Rome, 1967

Poema Lutje e deshprueshme nga i mirënjoftuni poet e shkrimtar ERNEST KOLIQI u botue së pari në revistën JETA KATOLIKE SHQIPTARE të Monsinjor Zef Oroshit në New York me 1968. Me aktet vandale të “revolucjonit kulturor” të stillit kinez, në pranveren e vjetit 1967, Enver Hoxha me shokë u vërsulën kundër atyne pak intelektualve e klerikve (sidomos katolikë) qi ende kishin mbetë gjallë për të krijue “shtetin e parë ateist” në botë!
“Fletë Rrufét”, denoncimet e mëshefta e publike, arrestimet, exekutimet e dënimet e randa me burg, internim e pushim nga puna krijuen nji atmosferë shantazhi e frige të pashembullt në historìn kombtare. Në ketë fushatë tmerri të pashoq, skuadra të rinìs, policìs, Sigurimit e t’intelektualve “përparimtarë” (të tipit Jup Kastrati, Rakip Beqaj, Agim Bejleri, Anesti Boçka, Hamid Beqja, Hulusi Hako, Hajredin Celiku e shum e shum të tjerë të kësaj kategorije), çuen në vend “porosit e Partìs e të shokut Enver” e rrafshuen përdhé kisha e xhamija, rrahën, çburrnuen e tortumen me qinda e qinda besimtarë e klerikë qi kundërshtuen rrenirnin e institucjoneve fetare e djegëjen publike të librave fetàr e teksteve tjera me përmbajtje të dijes e kulturës prendimore.
Poeti ERNEST KOLIQI, i ndieshëm për damin e madh qi po i bàhej traditës fetare e kulturore e në të vërtetë mbarë kombit, shpreh me fjalë e rrymë të fuqishme e prekse gjendjen e tij shpirtnore. Lute e deshprueshme àsht njiherit uratë e protestë për fatin e keq e tragjik qi n’atë kohë po përjetonte populli shqiptar.
Poema rënqethse e Koliqit u përkthye edhe n’anglisht nga Prof. Zef V. Nekaj e me 1976 u botue në librin THE FULFILLED PROMISE – A documentary account of religious persecution in Albania, Ignatius Press, San Francisco, California 1976, (Premtimi i mbajtun – Nji dokumentar i salvimit fetàr në Shqipni). Shenojmë se poema u pëkthye edhe në gjuhën suedeze nga shkrimtari i mirënjoftun Alfred Berglund dhe u botue në Buletini Katolik Shqiptar'(Vol. VII-VIII, 1986-7).








All the contents on this site are copyrighted ©.