2016-05-20 11:32:00

Papa pret imamin e al Azharit, autoritetin më të lartë sunit, më 23 maj


“Dua ta takoj, po përgatitemi, do ta shikoni se do t’ia arrijmë”: kështu pati thënë Papa Françesku në avionin, me të cilin kthehej nga Meksika, shkurtin e kaluar. Dje, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, njoftoi se takimi ndërmjet Atit të Shenjtë dhe autoritetit më të lartë sunit, imamit të al-Azharit, Ahmad Al-Tayyib, do të bëhet të hënën, më 23 maj.

Pra, Papa do të presë në Vatikan imamin e universitetit të Kajros, qendra kryesore e Islamit sunit në botë. Takim me rëndësi të jashtëzakonshme, si për marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe botës myslimane, ashtu edhe për dialogun ndërfetar. Gjithashtu, pritja bën pjesë në përpjekjet e Papës Bergoglio për t’i nxitur të gjitha fetë të japin kontributin e tyre në fundin e “Luftës III Botërore pjesë-pjesë”, në të cilën ka pasur një rol jo të paktë dhuna e të ashtuquajturit Shtet Islamik, Isis.

 Audienca do të sanksionojë edhe zyrtarisht rifillimin e dialogut ndërmjet Vatikanit dhe al-Azharit, që pati përjetuar disa çaste të vështira pas keqkuptimit të fjalimit të Papës Benedikti XVI në Regensburg të Gjermanisë. Universiteti sunit, që formon mijëra hoxhallarë në vit, është krejtësisht kundër zbatimit të Kuranit fjalë për fjalë, sidomos përsa i përket dhunës dhe luftës shenjte apo xhihadit. Ai nuk e ligjëron aspak terrorizmin, megjithëse jo të gjithë hoxhallarët sunitë në botë e ndjekin këtë linjë me fakte.

Për Papën, dialogu me Islamin e të gjitha degët e tij është themelor. Në janar, Ati i Shenjtë priti presidentin e Iranit shiit, Rohani e, po atë muaj, pranoi ftesën për të vizituar xhaminë e Romës, pavarësisht se akoma nuk është caktuar data. E jo më larg se më 11 maj, Papa Françesku priti Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nga Shqipëria. Në mikrofonin tonë, vetë kryegjyshi e quajti Papën “udhëheqës, që mban lart flamurin e paqes, të bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, ndërmjet popujve dhe kombeve. E mbështesim fuqishëm këtë rrugë – shtoi ai – dhe udhën e ndërmarrë në emër të Zotit e të vëllazërimit ndërmjet popujve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.