2016-05-20 17:47:00

Një françeskan gazetar, Rojtari i ri i Tokës Shenjte


Atë Francesco Patton, rregulltar françeskan trentin nga Italia, 53 vjeç e gazetar publicist, është Rojtari i ri i Tokës Shenjte. Zëvendëson atë Pierbattista Pizzaballa-n, që e ka kryer këtë detyrë për tri mandate rresht.

         “Vij me shumë përvuajtëri, në majë të gishtave. Vij me dashuri të madhe për këtë Tokë në zemër. Kërkoj të pranohem e të ndihmohem në kryerjen e shërbimit tim, për të mirën e njerëzve, që jetojnë aty e për të mirën e atyre, që vijnë për studime, për shtegtime, ose thjesht, për të shuar kuriozitetin për këto Vende të Shenjta”: kështu deklaroi atë Patton në mikrofonin e Radio Vatikanit.

         Rregulltari shprehu vlerësimin e tij për kujdesin e veçantë, që Papa Françesku tregon për Tokën Shenjte, gjë që ndjehet në të gjitha provincat françeskane, ku mbërrijnë tregimet e sivëllezërve të Rojtarisë. “Besoj – nënvizoi ai në mikrofonin tonë – se siç sugjeron Papa Françesku, ajo është tokë ku ka rëndësi të ndërtohen ura. Për ne, natyrisht, ka kuptim krejt të veçantë, pasi është toka ku u mishërua Zoti, ku Jezusi pësoi mundimet e tij, vdiq e u ringjall. Prandaj, për ne është si të prekim korpin e gjallë të fesë sonë”.

         Atë Patton ka qenë dy herë sekretar i përgjithshëm i Kapitullit të françeskanëve (2003 dhe 2009), vizitator i përgjithshëm në vitin 2003, ministër provincial i Provincës françeskane “Shën Vigjili” i Trentos (2008-2016), kryetar i Konferencës së eprorëve provincialë të Italisë e të Shqipërisë (2010-2013). Në Trento, ai ka qenë anëtar i Këshillit Presbiterial Dioqezan dhe i Sekretarisë së Këshillit Baritor Dioqezan të Kryedioqezës së Trentos; pedagog i shkencave të komunikimit shoqëror pranë Studimeve Teologjike Akademike Tridentine; bashkëpunëtor i së përjavshmes dioqezane, i radios dioqezane dhe i Telepace-s për Trenton.








All the contents on this site are copyrighted ©.