2016-05-19 00:00:00

Pjetër Bogdani: Letërkëmbim i Ipeshkvit të Shkodrës dhe Administratorit të Tivarit (1660-1670)


Pjetër Bogdani “Letërkëmbim, Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit (1660-1670). Kohëve të fundit doli nga botimi një vepër e re mbi figurën e kryeipeshkvit e atdhetarit të madh shqiptar, imzot Pjetër Bogdanin. “Letërkëmbim, Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit (1660-1670)": ky titulli i veprës së përgatitur nga Odette Marquet, murgeshë e studiuese franceze, botuar nga Botimet IDK me ndihmën e Kuries Kryeipeshkëvnore të Tivarit e konkretisht të ish kryepeshkopit imzot Zef Gashit.

Vepra ofron një korrespondencë, nga e cila del qartë figura dhe puna e pareshtur e Bariut të vërtetë kombëtar e shpirtëror, Imzot Pjetër Bogdanit, cili jetoi dhe punoi me një përkushtim që kishte si qëllim vetëm të mirën e grigjës, çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi osman, mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, përparimin e gjithanshëm.

E duke denoncuar gjendjen dramatike të popullsisë nën pushtimin osman, Imzot Bogdani krijon lidhjet me Kongregatën e Shenjtë të Vatikanit, me Raguzën, me Venedikun e me forcat tjera, për të kërkuar ndihmën për t’i bërë ballë dhunës, persekutimeve e për t’i tejkaluar vështirësitë e përditshme, të paimagjinueshme.

Letërkëmbimet zbulojnë edukatorin intelektual, por në të njëjtin kohë e plan edhe bariun besnik. Krahas kujdesit për përforcimin e besimit tek populli i krishterë, imzot Pjetër Bogdani punonte e mendonte edhe për qytetërimin e popullit.

Dokumentat na tregojnë sesi me imzot Pjetër Bogdanin, në këtë pjesë të errët dhe persekutuese të historisë së shqiptarëve lind edhe një frymë e re, ku krahas rezistencës ndaj turkut, shprehet kërshëria për kërkime, libra e meditime. Letërkëmbimi i tij, udhëtimet e tij dhe të gjitha lëvizjet e imzot Pjetër Bogdanin ofrojnë një fotografi të gjendjes së mjerueshme në të cilën gjendej populli e vepronte dhe luftonte kleri, në mbrojtje të tij e të vendit.

Falë punës së përkushtuar e të heshtur të motrës Odette Louise de Jesùs, në këtë vepër zbulojmë gjëra vërtetë të rëndësishme për imzot Pjetër Bogdanin, jetën e tij të shndërruar në një shërbim të pakursyer për të afërmin, për popullin, për vendin, me besim në Zotin, me bindje e përkushtim deri në martirizim. Po më hollësisht mbi veprën, të dëgjojmë ish kryeipeshkvin e Tivarit, imzot Zef Gashin në mikrofonin e dom David Gjugjës...








All the contents on this site are copyrighted ©.