2016-05-19 13:53:00

Papa: të promovohet paqja e të drejtat e njeriut, "jo" frikës nga terrorizmi


Në botën e sotme të “copëzuar e të polarizuar” jemi të thirrur të bëhemi “artizanë të paqes”. Këtë nënvizoi Papa Françesku në fjalimin drejtuar sot paradite në Vatikan ambasadorëve të ishujve Seishéle, të Tajlandës, Estonisë, Malavit, Zambias e Namibisë pranë Selisë së Shenjtë. Papa Bergoglio ripohoi se nuk duhet të lejojmë që frika e terrorizmit të na izolojë dhe bëri një thirrje të re për mikpritjen e emigrantëve.

Me gjithë shumëllojshmërinë e kombësive, të kulturave e të feve, jemi “të bashkuar nga humaniteti dhe nga misioni i përbashkët për t’u kujdesur për shoqërinë e për Gjithësinë". Këtë nënvizoi Papa Françesku duke i folur grupit të ambasadorëve të vendeve të ndryshme, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Në fjalimin e tij Ati i Shenjtë Bergoglio vuri theksin në mënyrë të veçantë mbi urgjencën e impenjimit për paqen dhe për mikpritjen e emigrantëve.

Të mos izolohemi nga frika e terrorizmit

“Këto probleme – vërejti Papa – kërkojnë jo vetëm të reflektojmë e të diskutojmë, por edhe ta shprehim konkretisht solidaritetin me vëllezërit e motrat tona, që ndodhen në një situatë tejet të rëndë” . Një detyrë kjo, vuri në pah Papa, që “bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse bota duket gjithnjë e më e copëzuar dhe e polarizuar”:

“Shumë njerëz priren të izolohen përballë realitetit të ashpër. Ata kanë frikë se mos terrorizmi dhe fluksi gjithnjë në rritje i emigrantëve e ndryshon rrënjësisht kulturën e tyre, stabilitetin ekonomik dhe stilin e jetës së tyre. Kjo është frikë e kuptueshme, që nuk mund të anashkalohet aq lehtë, megjithatë duhet ta përballojmë me urti e dhembshuri, në mënyrë që të drejtat dhe nevojat e të gjithëve të respektohen e të mbështeten”.

Duhet të jemi të vendosur për t’ia bërë të njohur botës kushtet kritike në të cilat gjenden ata njerëz, që “vuajnë nga tragjedia e dhunës dhe e emigracionit të detyruar" – nënvizoi me forcë Papa – "kështu që, përmes zërit tonë, të ushtojë zëri i tyre, tepër i pafuqishëm dhe i paaftë të bëjë të dëgjohet britma e dhimbjes”.

T’i ndihmojmë emigrantët me vendosmëri

Papa ripohoi kështu nevojën e kërkimit të “zgjidhjeve për shkaqet e shumta në bazën e konflikteve aktuale”, posaçërisht të bëhen “përpjekjet e domosdoshme për t’ua hequr armët atyre që përdorin dhunën, si dhe t’i jepet fund plagës së trafikut njerëzor dhe tregtisë së drogës, që shpesh e përcjell këtë të keqe”:

“Ndërsa nismat tona në emër të paqes do të duhej t’i ndihmonin popullsitë të qëndrojnë në atdheun e tyre, sot jemi të thirrur t’i përkrahim emigrantët dhe ata që kujdesen për ta. Nuk duhet të lejojmë që keqkuptimet e frika ta dobësojnë vendosmërinë tonë”.

Të favorizojmë dialogun e solidaritetin, përndryshe shoqëritë tona dobësohen

Mos të harrojmë, shtoi Papa, se “jemi të ftuar të ndërtojmë kulturën e dialogut” për të promovuar “një integrim, që respekton identitetin e emigrantëve e ruan kulturën e bashkësisë që i mirëpret, e në të njëjtën kohë i pasuron të dyja palët”:

“Nëse moskuptimi e frika mbizotërojnë, atëherë diçka është dëmtuar brenda nesh, kulturat tona, historia dhe traditat ligështohen, e vetë paqja komprometohet. Kur, nga ana tjetër, favorizojmë dialogun dhe solidaritetin, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë kolektiv, pikërisht atëherë përjetojmë aspektin më të mirë të njerëzimit e sigurojmë një paqe të qëndrueshme për të gjithë, sipas planit të Krijuesit”.

Papa Françesku, së fundi, nuk mungoi së përmenduri në mënyrë të veçantë barinjtë dhe besimtarët e komuniteteve katolike të pranishme në shtetet e përfaqësuara nga ambasadorët e rinj, të cilët i priti paradite në audiencë. Papa i inkurajoi “të jenë gjithmonë lajmëtarë të shpresës e të paqes”. “Mendoj – përfundoi Papa Bergoglio – në mënyrë të veçantë për ata të krishterë e ato komunitete që janë numerikisht pakicë e që vuajnë e pësojnë persekutime për shkak të fesë; atyre u shpreh mbështetjen time në lutje dhe solidaritetin tim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.