2016-05-19 12:09:00

Papa: të pasurit që shfrytëzojnë punëtorët janë shushunja, bëjnë mëkat mortor


Shfrytëzimi i njerëzve në punë për t’u pasuruar është mëkat mortor. Pronarët, që veprojnë kështu, janë shushunja. Papa Françesku flet haptas, qartë e pa doreza, në meshën e sotme të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Të pasur, që u thithin gjakun të varfërve

         Leximi i parë i sotëm nga Letra e shën Jakobit i paralajmëron pasanikët, që grumbullojnë para duke shfrytëzuar njerëzit. “Pasuria në vetvete është gjë e mirë – shpjegoi Papa – por është relative e jo absolute”. Ati i Shenjtë kritikoi ata, që në gjirin e Kishës, ndjekin “teologjinë e begatisë”, sipas së cilës nëse Zoti sheh se je njeri i drejtë të mbulon me pasuri. Nuk duhet të kapemi pas parasë, nënvizoi Françesku, sepse s’mund t’i shërbehet edhe Zotit, edhe pasurisë. Ajo mund të shndërrohet në një zinxhir, që nuk na lë të lirë ta ndjekim Krishtin. Shën Jakobi vë në dukje se paga e papaguar e punëtorëve e protestat e tyre arrijnë deri në veshët e Zotit të Gjithpushtetshëm:

         “Kur pasuria grumbullohet me anë të shfrytëzimit të njerëzve, ata të pasur që shfrytëzojnë, shfrytëzojnë punën e njerëzve e ata të varfër bëhen skllevër. Por le të mendojmë për të sotmen, për këtu: po edhe për gjithë botën është njësoj. ‘Dua punë’ – ‘Mirë: të bëjnë kontratën. Nga shtatori në qershor’. Pa mundësi pensioni, pa sigurim shëndetësor… Në qershor e pezullojnë e në korrik e gusht, këtij njeriu i duhet të ushqehet me ajër. E në shtator ia japin prapë. Këta njerëz që bëjnë kështu janë shushunja të vërteta e jetojnë duke thithur gjakun e njerëzve, të cilët i kthejnë në skllevër pune”.

Shfrytëzimi në punë është mëkat mortor

         Papa Françesku kujtoi fjalët e një vajze, e cila kishte gjetur punë të zezë, 11 orë në ditë, me një pagesë qesharake prej 650 eurosh. E i thanë: “Po të pëlqeu fillo, përndryshe ik. Ka të tjerë sa të duash!”. Këta pasanikë majmen me pasuri dhe shën Jakobi Apostull thotë: “i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes”. Gjaku i këtyre njerëzve, nga i cili keni jetuar është britmë drejtuar Zotit, është britmë për drejtësi. Shfrytëzimi i njerëzve, ngriti zërin sërish Papa, sot është skllavëri e vërtetë. “Ne – vërejti – mendonim se skllevërit nuk ekzistojnë më: ekzistojnë. Vërtet, nuk shkojnë t’i marrin më në Afrikë për t’i shitur në Amerikë, por skllavëria ekziston në qytetet tona. E ka trafikantë, të cilët i trajtojnë padrejtësisht njerëzit që punojnë”:

         “Dje, në audiencë, medituam mbi grykësin e pasur dhe Lazrin. Ky pasanik jetonte në botën e vet, as që e shihte se nga ana tjetër e derës së shtëpisë rrinte dikush, që kishte uri. Por sot është edhe më keq. Ai pasanik, së paku, nuk shihte e kështu, e linte tjetrin të vdiste nga uria. Por kjo e sotmja është edhe më keq: kjo do të thotë t’i kthesh njerëzit në të uritur, megjithëse punojnë, për të fituar ti vetë! Kjo do të thotë të jetosh me gjakun e njerëzve. E ky është mëkat mortor. Është mëkat mortor! E duhet pendim i madh, duhet kthimi i të gjithë pasurisë mbrapsht për t’u çliruar nga ky mëkat”.

Funerali i koprracit

         Papa kujtoi vdekjen e një koprraci, me të cilin njerëzit talleshin: “Funerali u prish – thoshin – sepse nuk e mbyllnim dot arkivolin. Kaq shumë donte të merrte me vete edhe në varr, saqë arkivoli nuk mbyllej”. Askush s’mund t’i marrë me vete në botën e përtejme pasuritë e kësaj bote, paralajmëroi Ati i Shenjtë:

         “Le të mendojmë për dramën e sotme: shfrytëzimin e njerëzve, gjakun e këtyre njerëzve që kthehen në skllevër, trafikantët e të tjerët, që shfrytëzojnë prostituta e fëmijë për punë, por edhe për atë trafikun – të themi – ‘të qytetëruar’: ‘Unë të paguaj vetëm kaq, pa pushime, pa sigurim shëndetësor, pa këtë e atë. Gjithçka pa dokumente… Ama, unë bëhem i pasur!’. Zoti na dhashtë ta kuptojmë thjeshtësinë për të cilën flet Jezusi në Ungjillin e sotëm: ka më tepër rëndësi një gotë ujë në emër të Krishtit se të gjitha pasuritë e grumbulluara me anë të shfrytëzimit të njerëzve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.