2016-05-17 14:36:00

Papa, gazetës La Croix: detyra e krishterimit për Evropën është shërbimi


Kriza e thirrjeve, çështjet e lidhura me pedofilinë dhe marrëdhëniet me lefebvrianët, me emigracionin dhe me Islamin. Janë këto disa prej temave të prekura nga Papa Françesku në një intervistë të gjatë, dhënë së përditshmes katolike franceze “La Croix”, botuar dje.

“Ndonëse Franca është vajza e madhe e Kishës, sot duhet parë si periferi, për t’u ungjillëzuar”- nënvizoi Papa - e më pas  pohoi se ka marrë një letër, me të cilën, si nga presidenti Hollande, ashtu edhe nga episkopati, i drejtohet ftesa për të vizituar vendin.

Sot për sot nuk kemi  të dhëna për realizimin e kësaj vizite, ndonëse me sa duket përjashtohet viti 2017, vit elektoral në Francë. Ndërsa përmendet etapa e mundshme në Marsejë, që  njihet si portë e hapur  mbi botën, ku, deri më sot, nuk ka shkelur asnjë papë.

I rëndësishëm, roli i laikëve në ungjillëzim

Përsa i takon ungjillëzimit, Françesku nënvizon se nuk ka medoemos nevojë për meshtarë, duke kujtuar shembullin historik të Koresë që, në shekuj, pas arritjes së misionarëve të parë, i pati gjithnjë laikët në vijë të parë të ugjillëzimit. Pagëzimi, vijon Papa, të jep forcë për të ungjillëzuar e Shpirti Shenjt, që e marrim në gurrën e Sakramentit të parë, të shtyn të dalësh nga vetja, për ta përhapur me guxim mesazhin e krishterë. Pastaj Ati i Shenjtë tërheq përsëri vëmendjen e Kishës kundër “klerikalizmit”, të cilin e quan “rrezik”.

Tolerancë zero në rastet e pedofilisë

Papa përgjigjet edhe për problemet e sotme të Kishës në Francë, që u trondit javët e fundit nga raste pedofilie. Në këtë drejtim, theksoi Papa, nuk mund të ketë  afate gjyqësore. Për shkak të këtyre shpërdorimeve, shtoi, meshtari, i thirrur për ta udhëhequr fëmijën në rrugën e Zotit, e rrënon. Mbjell të keqen, mllefin e dhimbjen. Siç ka thënë edhe Benedikti XVI, toleranca duhet të jetë zero. Lidhur me këtë Papa, mbi bazën e elementeve që disponon, e mbron kardinalin Philippe Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit, që po hetohet. I kam marrë, nënvizoi, masat e  nevojshme, duke e quajtur në vijim, kardinalin, “njeri të guximshëm, krijues, misionar”. Françesku shpjegoi edhe se po pret përfundimet e procedurës gjyqësore, që kanë të bëjnë me kardinalin dhe nënvizon se nuk është rasti të flitet për dorëheqje, sepse një vendim i tillë do të ishte i pakujdesshëm dhe i pamatur.

Çështje tjetër, që ka të bëjë me veprimtarinë e Kishës në Francë, është edhe ajo e lidhjes me Vëllazërinë e Shën Piut X: “Ecim përpara me kujdes e maturi, deklaroi Papa që, në intervistë flet për lefebvrianët si “katolikë të vënë për udhë drejt bashkimit të plotë”, duke pohuar se eprori  i tyre, imzot Bernard Fellay, është njeri  me të cilin mund të diskutohet.

A mund të bashkëjetojnë të krishterët me myslimanët?

Një hapësirë jo të paktë në intervistë zë çështja, që ka të bëjë me emigracionin, në lidhje edhe me Islamin. Për refugjatët, Papa pranon se nuk mund të hapen portat në mënyrë të paarsyeshme, por edhe kërkon t’i jepet përgjigje çështjes themelore, domethënë, shkakut të emigrimeve, origjinës të ikjes së miliona njerëzve. Françesku flet përsëri për një sistem ekonomik botëror, pre e idhujtarisë së hyjit para e, në vijim, i fton evropianët të punojnë në favor të integrimit, duke e shmangur rrezikun për t’u mbyllur në geto. Bashkëjetesa ndërmjet të krishterëve e myslimanëve është e mundur - vijon - nuk besoj se sot duhet pasur frikë nga Islami. Është e vërtetë, vijon Françesku, se ideja e pushtimit i përket shpirtit të Islamit, por do të mund të interpretohej sipas së njëjtës ide edhe fundi i Ungjillit të Mateut, kur Jezusi i dërgon dishepujt e vet në të gjitha kombet. Prej këndej, Papa fton t’i jepet përgjigje pyetjes mbi mënyrën me të cilën një model tepër perëndimor demokracie u eksportua në vende si Iraku, ku më parë ekzistonte një qeveri e fortë. Ose në Libi, ku ekziston një strukturë fisnore. Nuk mund të ecim përpara, pa i pasur mirë parasysh këto kultura – përfundon Papa.

Shteti duhet të jetë laik, jo konfesional

Duke iu përgjigjur, pastaj, pyetjes mbi çështjen e laicitetit në lidhje me lirinë fetare, Papa pohoi qartë se “Shteti duhet të jetë laik”. Shtetet konfesionale, shtoi, përfundojnë keq. E pastaj shpjegoi: “Besoj se laiciteti,  i shoqëruar me një ligj të fortë, që garanton lirinë fetare, ofron mundësi për të ecur pozitivisht përpara: jemi të gjithë njëlloj, si bij të Zotit e me dinjitetin tonë si njerëz. Por secili duhet të ketë liri për ta praktikuar haptazi fenë e vet. Nëse një grua myslimane dëshiron ta mbajë velin, duhet ta mbajë lirisht, njëlloj si katolikja, që dëshiron të mbajë kryqin. Kritika e përmbajtur, që Papa i bën Francës, është laiciteti i tepruar, për shkak se i konsideron fetë si “nën-kultura”, në vend që t’i shikojë si kultura në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pa harruar edhe të drejtat e tyre, prirje kjo, që Papa e shikon si trashëgimi e kuptueshme e Iluminizmit, i cili vijon të ekzistojë. Françesku i uron Francës të bëjë një hap përpara lidhur me këtë temë, për të pranuar se hapja ndaj transhendencës duhet të jetë e drejtë për të gjithë.

Kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes, e drejtë për t’u mbrojtur

Françeskut, në kuadrin e çështjeve ligjore të laicitetit, iu drejtua edhe pyetja sesi duhet t’i mbrojnë katolikët bindjet tyre përballë ligjeve, siç është ai i eutanazisë, ose ai i martesave civile. Papa përgjigjet se i takon parlametit “të diskutojë, të argumentojë, të shpjegojë, të arsyetojë” sepse vetëm kështu mund të zhvillohet shoqëria. Gjithsesi, kur një ligj miratohet, sqaron Françesku, Shteti duhet t’i respektojë edhe ndërgjegjet. Në këtë kuptim e drejta e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes duhet të njihet brenda çdo strukture juridike, sepse është një nga të drejtat e njeriut. I duhet njohur edhe një funksionari publik, mbasi edhe ai është njeri. Shteti duhet t’i ketë mirë parasysh edhe kritikat.

Papa foli edhe për ndryshimet ndërmjet dy Sinodeve, që u mbajtën në Vatikan, kushtuar familjes e, akoma, edhe për rrënjët e krishtera të Evropës, rrënjë "në shumës". Në këtë kuptim, kur flitet për rrënjët e krishtera të Evropës, nganjëherë duhen shmangur tonet triumfaliste ose hakmarrëse, sepse përndryshe bien erë kolonializëm. Evropa sigurisht ka rrënjë të krishtera. E krishterimi e ka  për detyrë t’i shërbejë Evropës, me atë frymë, që na e kujton vazhdimisht vetë Krishti, kur u lan këmbët apostujve e kur jep edhe jetën për shpëtimin e njeriut e të njerëzimit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.