2016-05-17 16:27:00

Islami: sufizmi, udhë dialogu me të krishterët


“I konsideruar zakonisht si rrymë mistike e Islamit”, sufizmi, udhë e realizimit shpirtëror, krijon mundësi për të arritur në majat më të larta mistike. Një shteg që, përmes pastrimit të shpirtit, nën udhëheqjen e një mësuesi, të çon në një frymëzim tepër të thellë, duke të krijuar ndjenjën e tensionit e të bashkimit me Zotin, një e i vetëm, deri në atë masë, sa të shkrihesh me Të, si një pikë uji në oqean. Sufi është ai që, brenda fesë myslimane, kërkon të arrijë këtë unitet hyjnor”.

Shëmbëlltyra sufì

Atë Alberto Fabio Ambrosio, domenikan, specialist i historisë së sufizmit otoman e i islamit turk, që jep mësim në Universitetin Gregorian e në Paris dhe bashkëpunon me Shkollën e Luksemburgut për fetë e shoqëritë,  botoi,  për editorin Jouvence, një përmbledhje të “Shëmbëlltyrave sufì”, titulluar: “Vesë hyjnore”, për ta bërë të njihet, edhe në Itali këtë disiplinë, që përfaqëson fytyrën më dialoguese e shpirtërisht më pasuruese të Islamit. Disipilinë, që njihet mirë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Mysafir i Radio Vatikanit, atë Ambrosio na shpjegon pse tekstet mistike të sufizmit e frymëzuan dhe vijojnë ta frymëzojnë jetën shpirtërore të katolikut.

Dialog, që pasuron identitetin tonë

“Pasurimi është i dyfishtë. Së pari, na njeh me një traditë tjetër që, për disa aspekte, është e afërt; për disa të tjera, e largët. Na njeh edhe me figura, që frymëzojnë por, njëkohësisht, duke nënvizuar distancën me traditën katolike, na bëjmë të kthehemi tek feja jonë. Rezultati është pikërisht pasurimi i identiteti katolik. Ta takosh tjetrin në traditën e tij, është pasurim me fenë tonë, sepse identiteti ynë thellohet pikërisht duke vërejtur këtë ndryshim. Edhe kur lexoj, meditoj ose kërkoj të studioj tekstet sufì  - shpjegon atë Ambrosio - e gjej menjëherë afërsinë me përshpirtërinë time e, përmes thellimit të mëtejshëm, zbuloj  pastaj honin që ekziston ndërmjet dy traditave. E pikërisht ky hon më ndihmon ta shikoj më me qartësi fenë time të krishterë”.

Rizbulim i dialogut shpirtëror

“Po bindem gjithnjë më shumë – vijon studiuesi domenikan - se sufizmi është mjet dialogu. Është dialog në gjirin e vetë Islamit, sepse të gjithë sufitë janë myslimanë, por jo të gjithë myslimanët janë sufì. E kjo ide që, brenda Islamit mund të ketë një gamë e gjerë realizimesh, i krijon kësaj feje mundësinë e një hapjeje më të madhe, të një frymëmarrjeje më të fuqishme. Veç kësaj, sufitë, duke pasur lidhje të thellë me Zotin, janë më të gatshëm për të dialoguar me të krishterët. Faktikisht - shpjegon atë Ambrozi - lidhja personale që krijon sufiu me Zotin është e ngjashme, për një mori aspektesh, me atë të tëkrishterëve. Bëhet fjalë për dialog shpirtëror, jo teologjik, që edhe dokumentet konciliare, si dhe ato të magjisterit, na e kujtojnë e na nxisin ta jetojmë. Niveli i dialogut shpirtëror, i emulacionit në fushën e jetës shpirtërore, është harruar paksa pas Koncilit, ndërsa me sufitë mund të aktualizohet, e me shumë fryt!".








All the contents on this site are copyrighted ©.