2016-05-17 14:30:00

Irak. Patriarku Sako: të ndalet dhuna islamike


Patriarku kaldeas i Irakut, Louis Raphael Sako, dënon me forcë dhunën që këtyre ditëve është bërë e vazhdueshme në vend. Sipas Kishës irakiane, objektivi i integralistëve islamikë të Isis-it, që pas një periudhe vështirësie e kanë marrë sërish veten, është shkatërrimi i mozaikut kulturor dhe i jetës së përbashkët paqësore ndërmjet etnive e feve të ndryshme. Që këndej, thirrja për qeverinë, klasën politike dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, të punojnë për sigurinë e jetës së qytetarëve të pafajshëm. Në dokumentin e nënshkruar nga Patriarku i Babilonisë së kaldeasve kërkohen edhe reforma urgjente për zhvillimin e kombit, i cili po kalon një krizë të thellë politike, ekonomike dhe institucionale, ashpërsuar më tej nga ndarjet e përçarjet e brendshme.

Të promovohet kultura e tolerancës, dashurisë dhe paqes

Gjithashtu, u bëhet thirrje krerëve myslimanë dhe të krishterë të bashkojnë forcat për të promovuar një kulturë të tolerancës, të dashurisë dhe të paqes, kundër çdo lloj shpërdorimi e shtrembërimi të fesë. Ky bashkëpunim, përfundon nota, do të dijë t’i bëjë ballë valës së fundamentalizmit dhe të sektarizmit, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Autoritetet politike, të pafuqishme para Isis

Fjalët e fuqishme të Patriarkut kaldeas vijnë në një kohë krize të thellë për Irakun, ku politika nuk është në gjendje prej kohësh, të zgjedhë ekzekutivin e ri, i cili duhet të qeverisë vendin. Amulli, që ka ngritur pikëpyetje edhe mbi aftësinë e krerëve politikë dhe institucionalë për të luftuar kundër milicive islamike të Isisit, të cilat po fitojnë sërish terren.








All the contents on this site are copyrighted ©.