2016-05-17 18:58:00

Ipeshkvijtë dhe rregulltarët sirianë: mjaft më me masa ndëshkimore kundër popullit


Një peticion dixhital, për t’u nënshkruar on line mbi platformën change.org, drejtuar parlamentarëve dhe kryetarëve të bashkive të çdo vendi, për të kërkuar që padrejtësitë e sanksioneve kundër Sirisë të njihen nga qytetarët e Bashkimit Evropian (të cilët sot nuk dinë absolutisht asgjë)  e të bëhen, më në fund, objekt i një diskutimi serioz, pasuar edhe nga  marrja e vendimeve të nevojshme. Kjo, nisma e një numri të madh ipeshkvijsh, rregulltarësh e katolikësh të tjerë të përkushtuar, që i pëkasin Kishave të ndryshme sui iuris (autonome), për të kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë fund vijimit të sanksioneve kundër Sirisë.

Personalitetet katolike, që nënshkruan peticionin

Ndërmjet nënshkruesve të peticionit - njofton agjencia Fides - figurojnë ipeshkvi Georges Abou Khazen (mëkëmbës apostolik i Halebit për katolikët e ritit latin); kryeipeshkvi maronit i Halebit, Joseph Tobij; Rojtari i nderit i Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa; kryeipeshkvi armen katolik i Halebit, Boutros Marayati; bashkësia e murgeshave trapiste të Sirisë; Motrat e Kongregatës së Ndihmës së Përhershme; Motrat e Kongregatës të Shën Jozefit të Dukjeve (që japin ndihmesën e tyre në spitalin Saint Louis të Halebit) dhe Jean Clément Jeanbart, kryeipeshkëv greko-katolik i Halebit.

BE-ja e ka hequr embargon e naftës në zonën e opozitës xhihadiste

Teksti i shkurtër i peticionit vë në dukje kontradiktat që vërehen në politikën e sanksioneve të imponuara nga BE-ja dhe bëjnë një përshkrim shumë të hidhur të efekteve të tyre shkatrrimtare mbi popullin sirian, në rrethanat tragjike të konfliktit që, prej pesë vjetësh, u mori jetën qindra mijëra njerëzve, ndërsa gjashtë milionë të tjerë, i detyroi të jetojnë si refugjatë. “Në vitin 2011, lexohet ndërmjet tjerash në tekstin, që i prin peticionit - rimarrë nga Fides - Bashkimi Evropian nisi zbatimin e  masave ndëshkimore kundër Sirisë, duke i paraqitur si sanksione kundër personaliteteve të regjimit, të cilat i impononin vendit embargon e naftës, bllokimin e çdo transaksioni financiar dhe ndalimin e tregtimit të një mori mallrash të prodhuara në vend. Masë e ashpër, që vijon akoma sot, ndonëse me një vendim edhe më të pashpjegueshëm, më 2012, hiqet embargoja e naftës në zonat e kontrolluara nga opozita e armatosur xhihadiste, me qëllim që t’u siguronte burime ekonomike forcave të ashtuquajtura revolucionare të opozitës”.

Masat ndëshkimore i dënuan sirianët me uri, epidemi, e mjerim

Në këto pesë vjet – vijon teksti i peticionit -. sanksionet në Siri kontribuan për ta shkatërruar shoqërinë siriane, duke i dënuar sirianët me uri, epidemi  e mjerim e duke favorizuar veprimtarinë e milicive integraliste, që sot po godasin edhe vetë Evropën. Nënshkruesit e peticionit bëjnë të ditur se sot sirianët e shikojnë mundësinë e ardhmërisë, që mund të jetohet nga familjet e tyre, vetëm duke ikur nga trojet e veta, por ikja nuk mund të jetë e vetmja rrugëzgjidhje, që bashkësia ndërkombëtare di t’u propozojë këtyre njerëzve të varfër, edhe pse ajo ndodhet përballë një mori vështirësish, për shkak të grindjeve të forta brenda Bashkimit Evropian.

T’u jepet fund menjëherë masave ndëshkimore, që prekin jetën e përditshme të sirianëve

Nënshkruesit mbështesin të gjitha nismat humanitare e paqësore, që po vë në jetë bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht përmes bisedimeve të vështira të Gjenevës, por në pritje e plot shpresë që të marrin, më në fund, një përgjigje konkrete, kërkojnë që sanksionet, të cilat prekin jetën e përditshme të sirianëve, të marrin fund menjëherë!








All the contents on this site are copyrighted ©.