2016-05-16 14:32:00

Papa pret në Vatikan përfaqësuesit bullgarë e maqedonas me rastin e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi


Papa Françesku priti sot në audiencë presidentin e Bullgarisë, Rossen Plevneliev dhe kryetarin e Parlamentit të ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, Trajko Velianoski, në dy audienca të veçanta, që zgjatën rreth 30 minuta. Është takim i përvitshëm me autoritetet e këtyre vendeve, me rastin e festës liturgjike të Shenjtorëve Çirili e Metodi.

Presidenti bullgar i dhuroi Papës një ikonë të Shën Klementit të Ohrit, dishepull i parë i Shenjtorëve vëllezër Çirili e Metodi, që përfundoi përkthimin e Ungjillit në gjuhën sllave dhe mori, si shkëmbim, nga Ati i Shenjtë, medalionin e paqes, shoqëruar me kopje të Enciklikës “Lëvduar qofsh” dhe të nxitjeve apostolike “Evangelii gaudium” dhe “Amoris laetitia”. Kryetari i Parlamentit të ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë i dhuroi Papës një tiarë, punuar me dorë nga motrat e manastirit të Rajcica, stolisur me margaritarë nga liqeni i Ohrit. E duke ia dhuruar, kujtoi se  papët nuk e përdorin më tiarën, por megjithatë, ai e bëri këtë dhuratë, për të krijuar një atmosferë sa më solemne gjatë këtij takimi. Papa ia kthei  me të njëjtat dhurata, që i bëri edhe Presidentit bullgar.

Në çastin e përshëndetjes, si Presidenti, ashtu edhe ipeshkvi katolik, që e shoqëronte, e ftuan Papën të vizitojë ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë. Madje Presidenti, në përfundim të vizitës, i tha Atit të Shenjtë: “Do të shihemi së shpejti”. Ndoshta e pati fjalën për praninë e një delegacioni maqedon në shenjtërimin e Nënë Terezës, më 4 shtatorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.