2016-05-16 16:58:00

Kardinali Turkson: duhen mjekime me çmim të ulët për fëmijët e sëmurë nga Sida


“Të krijohen mundësi që fëmijëve të sëmurë nga Sida të mos u mungojnë mjekimet e nevojshme”: për këtë qëllim nisi sot punimet, në Vatikan, takimi dyditor, organizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes. Është takimi i dytë, pas atij të specialistëve të sektorëve të ndryshëm dhe përfaqësuesve institucionalë, me qëllim që t’i jepet përgjigjja e duhur këtij problemi dramatik. Takimin e hapi kardinali Peter Turkson.

“Asistenca shëndetësore nuk është e drejtë për të gjithë, por privilegj për pak njerëz”. Papa Françesku e pohoi këtë vetëm disa ditë më parë, duke pritur në audiencë "Mjekët me Afrikën - CUAMM”.

Realitet i trishuar ky, prej këndej duhet t’i jepet menjëherë përgjigje, përsëriti kardinali Turkson, duke kujtuar fëmijët e sëmurë nga Sida e duke iu drejtuar ekspertëve të viseve të ndryshme të botës, që po e ndiqnin në sallën e konferencave të Shtëpizës Piu IV: përfaqësues të qeverive, anëtarë të Fondit global të OKB-së për luftën kundër Sidës, delegatë të shtëpive farmaceutike e të sektorit diagnostik, liderë të feve të ndryshme.

Sëmundje vdekjeprurëse

Objektivi, që i bashkon të pranishmit, është që të mos lihet në dorë të tregut mundësia për të vendosur kush duhet të rrojë e kush të vdesë, si në rastin e mjekimeve për Sidën, ashtu edhe për tuberkulozin e malarien, sëmundje që, për fat të keq, janë ende vdekjeprurëse në shumë vende të varfëra. Kardinali Turkson përcaktoi tri pika, si busull për ta çuar punën deri në fund.

Tri pikat

Së pari, të ripohohen vlerat shpirtërore, që frymëzojnë punën e  organizmave, të cilat angazhohen për t’u siguruar kujdesin e duhur mjekësor fëmijëve sieropozitivë e ndihmën, familjeve të tyre. Pika e dytë, të hartohet një tabelë lidhur me zbatimin e këtyre mjekimeve, për t’u paraqitur në takimin e nivelit të lartë, që do të mbahet në New York, pikërisht me temën e luftës kundër Sidës. Pika e tretë, kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes kërkoi të përcaktohet koalicioni i partnerëve, që do të angazhohet në realizimin e strategjisë për t’u siguruar fëmijëve të prekur nga virusi, ilaçet e nevojshme.

 Politika e shkenca të bashkëpunojnë

“Sigurimi i ndihmës shëndetësore, i mjekimit dhe i ilaçeve, mbetet ende ‘ëndërr për shumë njerëz’”, përsëriti kardinali Turkson, duke cituar fjalët e Papës në takimin e mëparshëm: “Nuk ka jetë njerëzore cilësisht më të rëndësishme, sesa një tjetër”. Çka  na duhet, theksoi, është dialogu i sinqertë e i hapur, me bashkëpunimin e të gjithëve: autoritete politike, bashkësi shkencore, botë afariste e shoqëri civile. Shembujt pozitivë - shtoi - nuk mungojnë. E kjo tregon se bashkëpunimi i vërtetë ndërmjet politikës, shkencës e sipërmarrjeve mund të ndihmojë për arritjen e rezultateve pozitive.  








All the contents on this site are copyrighted ©.