2016-05-16 12:03:00

Festa e Popujve: 50 etni për “bashkimin, duke respektuar ndryshimet”


Paqja është e mundur vetëm nëse respektojmë ndryshimet. Me këtë urim, gjatë Mbretëreshës Qiellore të ditës së djeshme, Papa Françesku përshëndeti pjesëmarrësit në Festën e Popujve, që ishin mbledhur në sheshin e Shën Gjonit në Lateran. Organizuar nga Zyra për Baritorinë e Emigrantëve në Vikariatin e Romës, në manifestim morën pjesë grupe etnike nga e gjithë dioqeza, përfshirë edhe shqiptarët, me në krye meshtarin, që aktualisht mbarështon veprimtaritë e bashkësisë së Romës, don Gjovalin Sukaj. Stenda e tyre e mbushur me informacion për Shqipërinë, me produkte tipike dhe me këngë e valle shqiptare, ekzekutuar nga të rinjtë e pranishëm, veshur me kostume kombëtare, tërhoqi vëmendjen e vizitorëve. Çasti qendror i ditës qe pa dyshim mesha e kremtuar në shesh nga imzot Guerino di Tora. Por ja fjalët e Atit të Shenjtë për pjesëmarrësit:

 

         “Përshëndes veçanërisht të gjitha ata, që marrin pjesë në ‘Festën e Popujve’, në 25 vjetorin e saj, që po kremtohet në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran. Kjo festë, shenjë bashkimi dhe larmie kulturash, na ndihmoftë të kuptojmë se rruga drejt paqes është kjo: të bashkohemi, duke respektuar ndryshimet”.

         Lindur me nismën e skalabrinianëve, 25 vjet më parë, Festa e Popujve është bërë tashmë një takim i përvitshëm për dioqezën e Romës. Natyrën e saj na e shpjegon drejtori i Zyrës dioqezane për Baritorinë e Emigracionit, imzot Pierpaolo Felicolo:

         “‘Festa e Popujve’ është rast i rëndësishëm për t’u takuar, për t’u njohur, për të krijuar marrëdhënie. Unë besoj shumë në këtë Festë: i bën laikët të punojnë së bashku, lidh ndërmjet tyre meshtarët e sidomos, e bën të dukshëm realitetin e emigracionit. Jo ‘problemin’ e emigracionit, por realitetin e emigracionit, që është i bukur, vërtet shumëfytyrësh, i ndërlikuar, i shumëllojshëm, por edhe i bukur. Për ta komunikuar këtë është e rëndësishme që ta tregojmë veten në një mënyrë, që shpesh, nuk gjen vend në media: të tregojmë fytyrën e bukur të emigrantëve, atë të vërtetën e jo vetëm atë problematike, që transmetohet shpesh”.

Siç e thamë, në Festën e Popujve ishin të pranishëm edhe shqiptarët. Të dëgjojmë don Gjovalin Sukajn, meshtarin, që mori pjesë bashkë me ta në veprimtarinë e djeshme…








All the contents on this site are copyrighted ©.