2016-05-15 15:51:00

Papa: Shpirti Shenjt jep mësimet e Jezusit e ndihmon për t’i kujtuar


Shpirti Shenjt “na mëson gjënë e vetme të domosdoshme: të duam, ashtu si do Zoti”. Është ky pohimi i Papës Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga dritarja e studios mbi Sheshin e Shën Pjetrit, pasi kishte kryesuar Meshën solemne të Rrëshajëve.

Nuk shihet e, edhe për shumë njerëz, që pohojnë se janë besimtarë, është prani e papërcaktueshme, e papërceptueshme. Por i krishteri s’është tjetër, veçse vepër konkrete e Shpirtit Shenjt. Ai ta ngul në zemër mësimin e Krishtit, që fjalët e Ungjillit t’i bëjnë ballë stuhive të kohës e kujtesës së brishtë njerëzore. Nuk është e rastit - nënvizoi Papa Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të Rrëshajëve, e fundmja për këtë vit - që Shpirti Shenjt ishte dhurata e parë e themelore, të cilën Jezusi na e nxori me Ngjalljen e  Ngjitjen në Qiell”.

Dashuri me fakte

Françesku e përqendroi vëmendjen tek një frazë të Ungjillit të Gjonit, lexuar në këtë solemnitet, mbi  fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit e Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë”. Frazë, komentoi Papa, e cila na kujton sidomos se dashuria për një njeri, e edhe për vetë Zotin, nuk dëshmohet me fjalë, por me fakte:

“T’i mbash urdhërimet” do të thotë t’i  zbatosh në kuptimin ekzistencial, në mënyrë që të të pushtojnë gjithë jetën. Të jesh i krishterë nuk do të thotë, në radhë të parë, t’i përkasësh një farë kulture, ose të pranosh një farë doktrine, por ta lidhësh jetën tënde, në të gjitha aspektet, me Vetjen e Jezusit e, përmes Tij, me Atin (…). Shpirti Shenjt na mëson gjithçka, ose më mirë të themi, gjënë më të domosdoshme: të duam, ashtu si do Zoti”.

Shpirti Shenjt mëson e kujton

Kemi, pastaj, edhe një përkufizim tjetër, që Krishti e përdor kur flet me Apostujt, duke u kujtuar Shpirtin Shenjt si “Një tjetër Mbrojtës”. Tjetër, sepse - pohoi Papa – i pari është vetë Krishti, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për natyrën njerëzore. Shpirti Shenjt ndërhyn menjëherë pas, pikërisht me funksionin e ndihmës, të ndërmjetësimit, të mbrojtjes, të ngushëllimit. Me funksionet - theksoi Papa - e mësimit e të kujtesës:

“Shpirti Shenjt nuk jep ndonjë mësim të ndryshëm, por e bën të gjallë, e bën veprues mësimin e Jezusit, në mënyrë që koha, duke kaluar, të mos e shlyejë e të mos e fishkë”.

 Shpirti Shenjt e ngulit këtë mësim brenda zemrave tona, duke e bërë pjesë të vetvetes sonë, korp të korpit tonë (…) Sa herë që Fjala e Jezusit pranohet me gëzim në zemrën tonë, kjo është vepër e Shpirtit Shenjt:

“Një zemër, me këtë dritë brenda, përfundoi Françesku, do të dijë ta dëshmojë Krishtin me sinqeritet ungjillor”.  

 








All the contents on this site are copyrighted ©.