2016-05-15 11:43:00

Françesku: ta lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë e nuk do të jemi më jetimë


Papa Françesku, duke nisur nga ora 10.00, kremtoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën në Solemnitetin e Rrëshajëve. Në ritet e hyrjes Ati i Shenjtë u lut që Zoti të na përtërijë shpirtërisht, për të qenë gjithnjë besnikë ndaj Shpirtit Shenjt, i cili na u dha si dhuratë. 

Në qendër të homelisë, në Meshën e Rrëshajëve, rilidhja e njeriut me Atin qiellor, përmes flijimit të Krishtit e dikimit të Shpirtit Shenjt. Që në krye   Papa theksoi se misioni i Jezusit, që arriti kulmin me dhuratën e Shpirtit Shenjt, kishte këtë synim themelor: të rilidhte marrëdhëniet tona me Atin, këputur nga mëkati; nga jetimë, që ishim, të na bënte përsëri bij. Shën Pali Apostull – vijoi të kujtojë Papa - duke u shkruar të krishterëve të Romës, thotë: “Të gjithë ata, që udhëhiqen nga Shpirti Shenjt, janë bij të Zotit. E ju nuk e morët Shpirtin Shenjt si skllevër, për t’u pushtuar nga frika, por për t’u bërë bij në shpirt. Falë kësaj atësie thërrasim 'Abbà! Atë!'" (Rom 8-14-15). Ja pra, marrëdhënia e rilidhur: Atësia e Zotit rijeton në ne, falë veprës shëlbuese të Krishtit e dhuratës së Shpirtit Shenjt.

Shpirti na u dha nga Ati - vijoi të shpjegojë Papa - e na çon tek Ati. E gjithë vepra e shëlbimit është vepër rilindjeje, në të cilën atësia e Zotit, përmes dhuratës së Birit e të Shpirtit Shenjt, na çliron nga gjendja e jetimit, në të cilën patëm rënë.

Edhe sot shumë shenja, që tregojnë se jetojmë si jetimë

Duke e aktualizuar mendimin, Ati i Shenjtë kujtoi se edhe në kohët tona shihen shenja të ndryshme, që tregojnë se jetojmë si jetimë, ndër të cilat, vetmia shpirtërore që e ndjejmë edhe në mes të turmës e që nganjëherë bëhet trishtim ekzistencial; ajo pavarësi nga Zoti, që shoqërohet me mallin për ta pasur përsëri pranë; ai analfabetizëm shpirtëror, që na bën të paaftë për t’u lutur, ajo vështirësi për ta ndjerë të vërtetë e reale jetën e pasosur, si përkryerje të bashkimit, që mbin këtu poshtë e lulëzon përtej kufijve të vdekjes; ajo vështirësi për ta pranuar tjetrin si vëlla, sepse bir i të njëjtit Atë. E shenjat të tjera, të ngjashme me këto.

Dikimi i Shpirtit Shenjt është “ujëvarë hiri”

Të gjithave - shpjegoi Papa - u kundërvihet jeta e re si bij, që është edhe thirrja jonë e zanafillës,  është ajo, për të cilën u krijuam, “ADN”-ja jonë më e thellë, që u rrënua e, për t’u rindërtuar, u desh flijimi i Birit të vetëm. Kështu Papa, që në vijim theksoi:

“Nga dhurata e pamasë e dashurisë, që është vdekja e Jezusit mbi kryq, buroi për mbarë njerëzimin, si ujëvarë hiri, dikimi i Shpirtit Shenjt. Kush zhytet me fe në këtë mister ripërtëritjeje, rilind plotësisht si bir i Zotit”.

Nuk do t’ju lë kurrë vetëm! – kujtoi Papa fjalët ngushëlluese të Krishtit. - E sot, në festën e Rrëshajëve - shtoi - këto fjalë të Jezusit na bëjnë të mendojmë edhe për praninë amtare të Marisë në Çenakull. Nëna e Jezusit është në mes të bashkësisë së dishepujve, mbledhur në lutje: kujtesë e gjallë e Birit e lutje e gjallë e Shpirtit Shenjt. Është Nëna e Kishës - kujtoi Papa - e në vijim ia besoi ndërmjetësimit të saj, në mënyrë të posaçme, gjithë të krishterët, familjet dhe bashkësitë që në këtë çast kanë më shumë nevojë për forcën e Shpirtit Mbrojtës, Shpirtit Ngushëllues, Shpirtit të së vërtetës, Shpirtit të  lirisë e të paqes.

Falë Jezusit, mund ta shikojmë njëri-tjetrin si vëllezër

Duke bërë përsëri të vetat fjalët e Shën Palit, Papa kujtoi se është pikërisht Shpirti Shenjt ai, që na bën t’i përkasim Krishtit: “Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, nuk i përket”(Rom 8,9). E duke e forcuar lidhjen tonë të përkatësisë me Zotin Jezus, Shpirti na bën të hyjmë në një vëllazërim plot jetë e gjallëri. Përmes vëllait të madh, që është Jezusi - kujtoi Papa - mund të lidhemi edhe me të tjerët në një mënyrë të re, jo më si jetimë, po si bij të të të njëjtit Atë, të mirë e të mëshirshëm. E kjo e ndryshon gjithçka”.

Mund të shikohemi njeri me tjetrin si vëllezër, e ndryshimet tona nuk bëjnë tjetër, veçse ta shumëfishojnë gëzimin e mahnitjen, kur mendojmë se i përkasim një atësie e një vëllazërie të vetme.








All the contents on this site are copyrighted ©.