2016-05-14 00:30:00

Shenjtorët e javës 15 - 22 maj


E diel 15 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve – festën e lindjes së Kishës sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjë më 15 maj kalendari kishtar përkujton edhe Shën Izidorin, bujk.

Të hënën më 16 maj, kalendari përkujton të Lumin Vladimir Gjika. U lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik. Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Të martën më 17 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Pjetrin Liu Venjuan, katekist kinez i martirizuar në vitin 1834 për shkak të fesë në Krishtin, shën Vitorin martir dhe shën Pashk Bajlonin, laik françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.

Të mërkurën më 18 maj, kalendari përkujton shën Gjonin I, papë e martir

Të enjten më 19 maj, kalendari përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, e shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.

Të premten më 20 maj, kalendari përkujton shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës

Të shtunën më 21 maj, kalendari përkujton shën Kristoforin Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë.

Të dielën e ardhshme më 22 maj, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjte. Gjithnjë më 22 maj kalendari përkujton edhe shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.








All the contents on this site are copyrighted ©.