2016-05-13 15:59:00

“Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës”: “Ai që iu fal shumë, do shumë”


Shëmbëlltyra e shkurtër, treguar në Ungjillin e Shën Lukës (7,41-43), ndriçon disa situata të jetës publike të Jezusit: tregon se Zoti takohet me mëkatarët e mëkataret deri në atë masë, sa të marrë mbi vete mëkatet e tyre. Një privilegj që, për judenjtë e kohës, i përkiste vetëm Zotit e mbarështohej nga priftërinjtë e tempullit. Shëmbëlltyra rrëfehet ndërsa Jezusi është i ftuar për drekë tek Simoni, farizeu: për shkak të bukurisë së saj, kjo skenë meriton të ritregohet këtu e tëra:

36 Një farize e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e farizeut dhe u ul në sofër. 37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua, mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi qe ulur në sofër, në shtëpinë e farizeut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët dhe, duke qarë, nisi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte  profet, ky do ta dinte se çfarë soj gruaje është kjo, që po e prek:  mëkataree madhe.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha:

“Simon, dua të të them diçka.”

“Fol, Mësues!” ‑ iu përgjigj ai.

41 “Një huadhënës ‑ vazhdoi Jezusi ‑ kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”

43 Simoni iu përgjigj:

“Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”

“Mirë pleqërove! ‑ i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit:

“A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. 46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”

48 Atëherë i tha gruas:

“Të janë falur mëkatet!”

Simoni, që e dëgjonte mezi e kuptoi ku donte të vriste Jezusi me këtë shëmbëlltyrë: donte t’i tregonte pse e fali mëkataren”

49 Simoni e të tjerët, që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”

50 Por ai i tha gruas:

“Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”. E me këtë përshëndetje të mrekullueshme po e përfundojmë edhe emisionin e sotëm, duke ju uruar edhe ju të gjithëve, që na dëgjoni: “Shkoni në paqe!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.