2016-05-13 13:53:00

Programi i vizitës së Papës në Armeni 24-26 qershor


U bë i njohur sot, programi i vizitës së Papës Françesku në Armeni, ku Ati i Shenjtë do të shkojë nga 24 deri më 26 qershor. Në tri ditët e vizitës armene, Papa do të shohë edhe Memorialin kushtuar genocidit të armenëve nga turqit otomanë, të shtunën, më 25 qershor.

         Udhëtim i shkurtër, por intensiv, ky i Bergoljos. Papa do të niset të premten, 24 qershor nga Fiumiçino për të mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Jerevanit, në orën 15.00. Pas lutjes në katedralen apostolike të Eçmjaxhinit dhe vizitës së kortezisë tek Presidenti i Republikës, parashikohet takimi i Atit të Shenjtë me autoritetet civile dhe me Trupin Diplomatik, në Pallatin Presidencial. Në mbrëmje, takimi personal me Katolikosin e të gjithë armenëve, Karekin II. Të nesërmen, më 25 qershor, pas Memorialit, Papa Françesku do të kremtojë meshën në Sheshin Vartanants në Gyumri, ku do të mbajë homelinë, ndërsa Katolikosi i armenëve do ta drejtojë fjalën e përshëndetjes. Më pas, do të vizitojë  katedralen armeno-katolike të Shtatë Plagëve, por edhe atë katolikë romake të Shenjtorëve Martirë, po në Gyumri, për t’u transferuar pastaj me avion për në Jerevan. Në orën 19.00, takimi ekumenik dhe lutja për paqen në sheshin e Republikës në Jerevan, ku si Papa, ashtu edhe Katolikosi do t’u flasin besimtarëve.

         Të dielën, më 26 qershor, Ati i Shenjtë do të takojë ipeshkvijtë katolikë armenë dhe do të marrë pjesë në Litugjinë Hyjnore në katedralen armeno-apostolike. Në krahasim me ditën e mëparshme, shndërrohen rolet: Katolikosi mban homelinë, ndërsa Papa, fjalën përshëndetëse. Pas një dreke ekumenike në Pallatin Apostolik, Françesku do të takohet, po aty, me delegatët e bamirësit e Kishës Apostolike Armene. Ndërmjet Kishave motra, nënshkrimi i një deklarate të përbashkët. Para se të largohet nga Armenia, Papa Françesku do të lutet në manastirin Khor Virap. Kthimi në aeroportin e Ciampinos, në Romë, parashikohet për të dielën në orën 20.40.

         Kujtojmë se Kisha Apostolike Armene bën pjesë në Kishat ortodokse të Lindjes. Ajo është ndër më të lashtat e krishterimit e një nga bashkësitë e para të krishtera në botë. Dëshmia e parë e mbërritjes së krishterimit në Armeni na çon larg në shekullin I pas Krishtit, kur feja u predikua në këto troje nga shenjtorët Bartolomeu e Tadeu, dy nga dymbëdhjetë Apostujt. Armenët qenë edhe kombi i parë, që pranoi krishterimin si fe zyrtare. Kjo ndodhi në vitin 301, kur mbreti arsacid Tiridate III u kthye në krishterim dhe u pagëzua nga shën Gregori Ndriçues. Krishterimi në Armeni u përforcua më tej falë përkthimit të Biblës në gjuhën armene, nga teologu dhe murgu Mesrop Mashtots.








All the contents on this site are copyrighted ©.