2016-05-13 13:39:00

Kalendari i kremtimeve të Papës qershor-4 shtator 2016


Kremtimet e Papës Françesku për muajin qershor do të nisin të premten, më datën 3, në orën 9.30, kur Ati i Shenjtë do të kremtojë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën e Jubileut të meshtarëve. Është Solemniteti i Zemrës së Krishtit, së cilës i  kushtohen. 

Më 5 qershor, e Diela X e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Françesku do të kremtojë, në orën 10.30, Kapelën Papnore me ritin e Shenjtërimit të të Lumëve Stanislao i Jezusit e i Marisë dhe Maria Elisabetta Hesselblad.

Të diel, më 12 qershor, përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 10.30, Papa do të kryesojë kremtimet e Jubileut të të sëmurëve dhe të njerëzve me aftësi të kufizuara.

Të hënën më 20 qershor, në orën 10.00, do të jetë në Sallën e Koncistorit   për disa çështje shenjtërimi.

Më 24 të të njëjtit muaj, ditë e premte, Papa do të nisë shtegtimin apostolik në Armeni, ku do të jetë deri të diel, më 26 qershor.

Të mërkurë, 29 qershor, në orën 9.30, në Bazilikën e Vatikanit, Papa do të kryesojë kremtimin solemn në Festën e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës. Gjatë Meshës, do të bekojë edhe paliot për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë.

Korrik

Më 27 korrik Françesku do të nisë shtegtimin në Poloni, për të marrë pjesë në Ditën XXXI Botërore të Rinisë. Do të jetë në Poloni deri  të diel, më 31 korrik.

Shtator

Më 4 shtator, e Diela XXIII e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Festa e madhe për gjithë shqiptarët: në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, do të nisë kremtimi i Kapelës papnore për shenjtërimin e Nënës sonë Terezë. Në përkim me këtë shenjtërim, do të kremtohet edhe Jubileu i veprimtarëve e vullnetarëve të mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.