2016-05-13 11:53:00

35 vjet më parë, atentati kundër shën Gjon Palit II


35 vjet më parë, në pasditen e 13 majit 1981, Gjon Pali II goditej me dy plumba nga pistoleta e Ali Agçait, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ashtu si sot, ishte festa e Zojës së Fatimës. Për Papën Vojtila, qe pikërisht dora e shën Marisë ajo, që e mbrojti nga vdekja. Plumbi, që pati përshkuar kraharorin e që mund edhe ta kishte vrarë, tani, është ngërthyer në kurorën e shtatores së Virgjërës së Fatimës. Po le ta përshkojmë së bashku ngjarjen, që tronditi botën.

13 maj 1981, Sheshi i Shën Pjetrit, festa e Zojës së Fatimës. Si zakonisht në audiencat e përgjithshme, Gjon Pali II, në këmbë në papamobilin e tij, përshëndet e bekon shtegtarët. Është çasti i takimit, i gjesteve të përzemërta, i afërsisë ndërmjet Atit të Shenjtë dhe besimtarëve: duart cekin njëra-tjetrën, shkëmbehen buzëqeshje, Papa merr fëmijë në krah dhe i përkëdhel me ëmbëlsi. Njerëzit nuk e dinë, por pas xhiros, Papa ka ndërmend të japë një njoftim të rëndësishëm: lindjen e Këshillit Papnor për Familjen. Kumti u desh të shtyhej. Qielli sipër Romës u mbush me re, si për të paralajmëruar të papërfytyrueshmen, që bëhej realitet.

Ora 17.17. Një zhurmë e shurdhët përsëritet. S’ka asnjë dyshim: dikush qëllon me armë zjarri. Papa bie mbrapsht në makinë, i mbajtur nga sekretari, don Stanislau Xhivish. Njerëzit tmerrohen. Dikush shpërthen në vaj, të tjerë gjunjëzohen, të tjerë fillojnë të numërojnë kokrrat e Rruzares, me sytë kah Qielli. Mallëngjim i përgjithshëm, që s’mund të mos prekë edhe kronistin e Radio Vatikanit, Benedetto Nardacci, i cili komenton ngjarjen drejtpërdrejt:

“Turma është e gjitha në këmbë…. Turma është e gjitha në këmbë; nuk e komentojnë skenën tragjike, që kanë parë. Janë të gjithë pothuajse në heshtje, presin lajme… Ati i Shenjtë…është e qartë…sigurisht që është goditur. E kanë qëlluar pa dyshim. E pamë të shtrirë në makinën e zbuluar, që hyri me shpejtësi brenda… në Vatikan. Ja! Për herë të parë, flitet për terrorizëm edhe në Vatikan. Flitet për terrorizëm në një qytet, nga i cili janë nisur gjithnjë mesazhe dashurie, mesazhe pajtimi, mesazhe paqeje”.

Janë çaste ankthi e konfuzioni. Në Sheshin e pagojë përhapen lajme kontradiktore për identitetin e atentatorit, për numrin e të shtënave e, sidomos, për plagët e Karol Vojtilës. Dëgjohet një sirenë, shihet një autoambulancë. Konfirmon lajmin drejtori i atëhershëm i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Roberto Tucci, që pak minuta pas atentatit, shkon pranë kronistit Nardacci, në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Atë Tucci, nga mikrofoni i Radio Vatikanit, në Sheshin e Shën Pjetrit. Nuk dihet akoma sa e rëndë është plaga. Në orën 17.29, e pashë unë vetë ambulancën, që doli me shpejtësi të madhe nga Porta Sant’Anna. Më thanë – por nuk mund të siguroj se lajmi është i vërtetë – që autoambulanca me Atin e Shenjtë shkon në Poliklinikën Gemelli”.

Udhëtimi nga Vatikani në spitalin Gemelli zgjat vetëm një çerek ore. E megjithatë, janë minuta pa fund. Brenda në ambulancë, kujton mjeku personal Renato Buzzonetti, Papa “lutej pa pushim në gjuhën polake: ‘O Jezu Krisht! O Nëna ime’”… Ndërhyrja kirurgjikale zgjat shumë …tepër e ndërlikuar: Karol Vojtila ka humbur shumë gjak, është plagosur rëndë në disa vende dhe plumbi ka shpuar tejendanë aparatin intestinal (të zorrëve). E megjithatë, mjekët që operojnë Atin e Shenjtë nuk mund të mos vërejnë se plumbi ka përshkuar një trajektore të pazakonshme: vetëm një devijim prej pak milimetrash e shenjti i ardhshëm nuk do të kishte shpëtuar. Gazetarët e gjithë botës presin me padurim rezultatin e operacionit:

R. – The surgery on Pope John Paul ...

“Operacioni kirurgjikal i Papës përfundoi pas 4 orësh e 20 minutash”, qe lajmi në emision të drejtpërdrejtë, dhënë nga kanali amerikan Abc, i cili shton: “Radio Vatikani njofton se gjendja e Papës nuk është e rëndë”.

Miliona besimtarë që, në të gjitha skajet e globit e sidomos në Poloni, ishin mbledhur në lutje, munden tani të psherëtijnë të lehtësuar. Ndërkaq, policia italiane merr në pyetje atentatorin, djaloshin ekstremist turk Ali Agça. Pikërisht atij i drejtohet Gjon Pali II në Lutjen e parë të Mbretëreshës Qiellore, pas atentatit, që gati i mori jetën. Është 17 maji i vitit 1981. Papa flet nga shtrati i dhimbjes në Poliklinikën Gemelli:

 “Ju falenderoj, i mallëngjyer për lutjet tuaja e, ju bekoj të gjithëve… Lutem për vëllain që më qëlloi, të cilin, sinqerisht, e kam falur… Ty, o shën Mari, të përsëris: ‘Totus tuus ego sum’”.

Lëshimi i plotë në duart e Zojës dhe falja: dy përmasa fort të pranishme në jetën e në magjisterin e Papës, që, nga ai çast, bëhen një gjë e vetme me figurën dhe dëshminë e Karol Vojtilës. Atë falje, që e dha me zë të mekët, pak pas atentatit, Gjon Pali II do t’ia jepte edhe personalisht “vëllait, që e qëlloi”, në ditën e Krishtlindjes të vitit 1983, në burgun romak të Rebibbia-s. Ndërsa Zojës i dhuron gjithë vetveten, zemrën, jetën.

13 maji i vitit 1982, saktësisht, një vit pas atentatit: Papa është në shenjtëroren mariane të Fatimës për ta falenderuar Zojën, që e shpëtoi. Gjon Pali II s’ka asnjë dyshim: ishte dora e Marisë, që “e orientoi trajektoren e plumbit e Papa në agoni u ndal në pragun e vdekjes”.

“Totus Tuus Maria”, “I tëri yti Mari”: motoja e stemës ipeshkvnore kthehet në lutje. Lëshim i plotë në duart e Zojës, që Papa Vojtila do të përsëriste deri në çastet e fundit të jetës së tij tokësore:

“Në ty besoj e ty, edhe një herë, të deklaroj: Totus tuus, Maria! Totus tuus! Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.